
FIER-Policia ka kryer kontroll ditën e sotme në banesën dhe makinat e Arben Isufajt i njohur si ‘Ben Qimja’, i cili ka kërcënuar gjyqtarin Vladimir Cjapi. Gjatë kontrollit janë sekuestruar një pistoletë ku ishin gdhendur inicialet e tij, “A.I.”, targa të huaja, jelekë policie, 6 celularë dhe dokumenta zyrtarë. “Ben Qimja” është shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe po hetohet për një përpjekje për të korruptuar një gjyqtar.
View this post on Instagram
Njoftimi i policisë:
Veprime intensive hetimore dhe policore, mbi rastin e kanosjes së një gjyqtari të Gjykatës së Fierit, të kallëzuar prej gjyqtarit, në Prokurorinë e Fierit, më datë 17.02.2025. Kryhen kontrolle në ambiente dhe automjete, në pronësi të shtetasit të shpallur në kërkim si autor i këtij rasti. Gjenden dhe sekuestrohen: 1 armë zjarri pistoletë, 1 palë targa të huaja, jelek multifuksional si i Policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumenta zyrtarë.
Në vijim të veprimeve, shoqërohen në ambientet e Policisë, disa shtetas (me lidhje me shtetasin e shpallur në kërkim).
Në zbatim të vendimit të datës 19.02.2025, të Gjykatës së Fierit, Policia e Fierit dhe “RENEA” kanë kryer kontrolle në banesa, ambiente dhe automjete, në pronësi të shtetasit A. I., 55 vjeç, banues në lagjen "Sheq i Madh", i cili është kallëzuar në Prokurorinë e Fierit, nga një gjyqtar i Gjykatës së Fierit, për kanosje të kryer më datë 12.02.2025. 55-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Me qëllim hetimin e plotë të rastit, Policia ka sekuestruar sende që do t’i shërbejnë hetimit, si dhe ka shoqëruar shtetas të lidhur me shtetasin A. I.. Policia e Fierit informon se po kryhen kontrolle intensive për kapjen e 55-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të tij, për këtë rast që ka cenuar për shkak të detyrës, një anëtar të Gjykatës së Fierit. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme./ZËRI