
ITALI- Mbi 58 ton mbetje ekotoksike, të cilat dy kompani të ndryshme italiane me seli në Lombardi po tentonin t’i importonin ilegalisht nga Shqipëria, u sekuestruan nga Guardia di Finanza dhe Agjencia e Doganave dhe Monopoleve në portin e Ankonës në kuadër të operacionit “Metal Gate”. Përfaqësuesit ligjorë të kompanive të përfshira janë denoncuar për krime të rënda mjedisore.
Bastisjet ndodhën pasi u zbulua se kishte mospërputhje në dokumente gjatë kontrollit të mallrave “sensitive” që po transportoheshin. Mbetje të deklaruara zyrtarisht si ‘shkarkim alumini’, në realitet karakterizoheshin nga një përqëndrim i lartë i zinkut, plumbit dhe bakrit shumë toksik. Këta elementë kanë rezultuar të jenë shumë toksikë për mjedisin ujor, duke theksuar rrezikun e mundshëm që mund të paraqesë asgjësimi i tyre i pakontrolluar. Analiza e mbetjeve, e kryer nga ekspertë të Agjencisë Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit, konfirmoi rrezikshmërinë e tyre, duke i klasifikuar ato si mbetje ekotoksike, raportojnë mediat fqinje.
Kompanitë e përfshira tani do të duhet të përgjigjen për krime si "trafikimi i paligjshëm i mbetjeve", "gënjeshtra ideologjike e kryer nga një individ privat në një dokument publik" dhe "pengim i aktiviteteve të kontrollit". Operacioni u krye në vazhdën e një aktiviteti të mëparshëm që ka çuar në sekuestrimin e rreth 16 ton mbetje urbane.
Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria përfshihet në një 'skandal' të mbetjeve toksike. Një hetim vijon të jetë i hapur nga Prokuroria e Durrësit sa i përket 102 kontejnerëve që dyshiheshin se mbanin mbetje toksike eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
Por si erdhi sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale?
Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t'u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës. Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri. Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.
Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si "oksid hekuri" një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme. Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt. Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se "informacioni mund t'u jepet vetëm klientëve". Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment. Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.
BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN.
BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve. Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28. Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë. Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga oxhakët e fabrikës "Kurum" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët./ZËRI