
TIRANË- Vazhdon seanca për dosjen "Plumbi i artë", ku kësaj herë kanë qenë avokatët ata që kanë "marrë në pyetje" të penduarin dhe bashkëpunëtorin e drejtësisë, Nuredin Dumani. Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), avokatët e kanë pyetur lidhur me marrëdhënien që Dumani ka pasur me Gentian Sharrën. Për këtë të fundit, Dumani tha se ai dhe Sharra kishin bashkëpunuar në vjedhje dhe grabitje të ndryshme.
Një prej tyre ka qenë ajo e një banese në Shijak, që sipas tij ishte e dhëndrit të Agron Dukës, deputetit të opozitës. Dumani ka deklaruar se në banesën e dhëndrit të Agron Dukës kanë vjedhur një shumë prej mbi 500 mijë euro.
Nuredin Dumani: Po në Shijak dhe në Vilbashtovë. Shtëpia ishte e dhëndrit të Agron Dukës sipas Dorian Shkozës dhe kishte mbi 500 mijë euro aty. Grabitja është bërë me makinën time tip ML. I kam heq targat dhe pjesë që të mos dukej se është e imja.
I penduari i drejtësisë gjatë seancës ka debatuar edhe me bashkëpunëtorin e tij, Gentian Sharra në GJKKO, duke iu drejtuar “më plasi shpirti o të keqen vëllai, duke dëgjuar fjalët e tij, duke ndryshuar fjalët javë për javë”./ZËRI