
TIRANË- Është zbardhur dëshmia e dy prej personave të arrestuar nga policia, pas sulmit të dhunshëm ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Dritan Nano, nuk ka pranuar se ka qenë ai organizatori i sulmit, ndërkohë që Dritan Alia, i cili u vetëdorëzua në polici, është shprehur se ata kishin shkuar për ti dhënë një mesazh avokatit, dhe jo për t’i marrë jetën.
“I jam afruar dhe i kam folur, pasi avokati më injoroi e kam qëlluar vetëm njëherë me grusht nga nga paniku që ai ra, u largova. Shkuam për t’i dhënë një mesazh. Nuk e menduam që situata do të rëndohej kaq shumë dhe avokati do të merrte kaq dëme të rënda”, ka dëshmuar Dorian Alia.
Alia ka deklaruar më tej se aktin e kreu “për miqësi” pasi ia kishte kërkuar Dritan Nano dhe se nuk e dinte peshën e avokatit Mëngjesi.
Po ashtu, ai ka deklaruar se bashkë me autorët e tjerë, donin t’i bënin presion të hiqtë dorë nga gjyqi që avokati Sokol Mëngjesi kishte hapur.
Nga ana tjetër, Nano që është evidentuar si organizator i sulmit nga ana e policisë, ka mohuar dijeninë e tij në lidhje me krimin, edhe pse me avokatin ka pasur konflikte për shkak të një marrëveshje që nuk e ka përmbushur, duke mos e paguar Mëngjesin për fitimin e një çështje pronësie në dy shkallët e drejtësisë.
Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u godit dje me sende të forta, në dalje të kopshtit 31 në kryeqytet që ndodhet në zonën e ish-bllokut, mbetet e rëndë. Për shkak të hemoragjisë që ka pasur në kokë, avokati është futur në intubim nga mjekët e spitalit të Traumës dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm, për të parë nëse gjendja e tij do të ketë përmirësim.
Pas një pune intesive, policia e Tiranës arriti që të zbardhte dje dhunimin e avokatit, dhe të identifikonte si personat që e kryen aktin, por edhe personin që e kishte urdhëruar sulmin ndaj Mëngjesit.
Policia identifikoi si autorë të sulmit shtetasit: Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ndërkohë që porositësi i sulmit është shtetasi Dritan Nano, me të cilin avokati kishte një konflikt të hapur, lidhur me një pagesë që nuk i ishte dhënë nga ana e klientit të tij.
Njëri prej autorëve të dhunimit, shtetasi Dorian Alia u vetedorëzua dje në policinë e Tiranës, ndërkohë që vijon puna për kapjen e personave të tjerë, ndërsa blutë kanë dhënë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për çdo person që jep informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre. Edhe organizatori i sulmit, shtetasi Dritan Nano është ndaluar dje nga policia, dhe pritet ti komunikohet masa e arrestit. /ZËRI