Aktualitet

Atentati ndaj Gjeloshit, ekonomisti mbrojti me jetën e tij pronarin. Njëri prej autorëve foli në gjuhë të huaj

Njëri prej autorëve ka folur në gjuhë të huaj

E.K
Atentati ndaj Gjeloshit, ekonomisti mbrojti me jetën e tij pronarin.
Viktima Mihana dhe skena e krimit

KURBIN- Kur kanë kaluar 24 orë nga atentati me armë zjarri në një biznes inertesh në zonën e Kurbinit, ku mbeti i vrarë ekonomisti 70-vjeçar Selman Mihana, të gjithë veprimet hetimore të deritanishme flasin se shënjestra e atentatit ishte biznesmeni Ardjan Gjeloshi, i cili mbeti i plagosur. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Mihana dyshohet se ka mbrojtur me trupin e tij biznesmenin Gjeloshi, i cili ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, për shkak të plagëvë të marra. 

Autorët e këtij atentati dyshohet se kanë qenë 4 persona, 3 prej të cilëve kanë qenë të maskuar dhe kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të biznesit të inerteve. Ndërkohë që personi i katërt ka qëndruar në makinën Range Rover, në mënyrë që të bënte largimin e tyre nga vendi i krimit. Sa i takon dinamikës së ngjarjes, mësohet se autorët kanë zbritur nga mjeti i tyre Range Rover me ngjyrë të zezë, të cilin e kanë parkuar në hyrje të kompanisë së përpunimit të inerteve në Gurëz të Kurbinit. Më pas 3 prej tyre kanë lëvizur në këmbë në drejtim të godinës së administratës, ku ndodhej dhe vetë Gjeloshi.

Ata kanë qëlluar me breshëri arme në drejtim të Gjeloshit, të cilin e kanë prekur vetëm 2 prej plumbave, pasi ka arritur që të largohet drejt zyrës së tij. Ndërkohë që Mihana, i cili ishte së bashku me Gjeloshin nuk ka mundur dot që tiu shpëtojë plagëve të marra, dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ngjarja mund të kishte pasur përmasa edhe më tragjike, pasi në momentin që autorët kanë qëlluar me breshëri arme, të pranishëm në godinë kanë qenë dhe punonjës të tjerë që po nisnin turnin e punës, të cilët kanë shpëtuar për mrekulli.

Sipas dëshmive të disa prej punonjësve, që kanë qenë dëshmitarë të skenës së krimit, njëri prej autorëve ka folur në gjuhë të huaj, por ata nuk kanë mundur që të identifikojnë fjalët që ai ka thënë. Në orët që kanë pasuar policia ka shoqëruar të paktën 10 persona, që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë indicie për hetimin.

Pista kryesore ku po heton Prokuroria e Lezhës është ajo e hakmarrjes, pasi në vitin 2002, 51-vjeçari Ardjan Gjeloshi bashkë me të vëllanë ishin përfshirë në një ngjarje, nga ku mbeti e vrarë një grua dhe i plagosur një efektiv policie, por në sitë po kalojnë edhe konflikte të tjera që mund të ketë patur shënjestra e këtij sulmi me armë zjarri. Padyshim një tjetër pistë ku po hetohet është ajo e konflikteve të ndryshme që Gjeloshi mund të ketë pasur në biznes./ZËRI 

Poll

MOS HUMB