
TIRANË- Policia e Tiranës ka vënë në pranga 29 vjeçarin Kristjan Lukaj, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në mashtrimin që iu bë pak ditë më parë biznesmenes Vilma Nushi, të cilës iu mor një shumë prej 50 mijë eurosh, përmes drejtoreshës së saj. Për rastin e mashtrimit vijon që të jetë në kërkim Florian Gjergji, i cili dyshohet se qëndron në krye të një grupi që synon ‘peshkimin’ e biznesmenëve të mëdhenj, duke u shtirur si përfaqësues të zyrtarëve të lartë.
Më herët për mashtrimin e Nushit janë vënë në pranga dhe shtetasit Alban Gjoni dhe Rudor Balla.
Zëri ka raportuar më herët se personat e arrestuar janë prezantuar si Vilma Nushi dhe kanë kontaktuar një drejtoreshë në kompaninë e saj duke i thënë se i duhen 50 mijë euro.
Ata kanë lënë një takim te hotel Rogner, ndërsa më pas duke u hequr si Vilma i kanë thënë se nuk mundet të vijë vetë që të marrë lekët por do i marrë një person tjetër. Në këtë moment një prej të arrestuarve ka shkuar dhe ka marrë shumën prej 50 mijë eurosh.
Më pas drejtoresha në kompaninë e Vilma Nushit, dhe biznesmenia, janë takuar tek firma Marketing Distribution dhe i ka thënë se paratë i ka dorëzuar. Në këtë moment është zbuluar edhe mashtrimi .
"Vijon operacioni policor i koduar “Repeat", i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në DVP Tiranë.
Vihet në pranga një 29-vjeçar, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me 3 shtetas të tjerë (2 të arrestuar gjatë operacionit, 1 në kërkim), për t’i marrë një shumë parash një shtetasi, me anë të mashtrimit.
Sekuestrohet 1 celular.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Repeat”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit K. L., 29 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit A. Gj. dhe R. B. (të arrestuar) dhe me shtetasin F. L. (në kërkim), për t’i marrë shumën 50 000 euro, një shtetasi, nëpërmjet mashtrimit, duke u prezantuar si përfaqësues të një personi publik.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme", njofton policia e Tiranës.
Florian Gjergji, i cili është shpallur në kërkim nga Policia, dyshohet se fshihet në shtetin gjerman. Më herët ai ka tentuar që të mashtrojë edhe biznesmenë të tjerë përveç Nushit, si Pëllumb Salillarin apo Ramë Gecin. ZËRI ju sjell një përmbledhje të këtyre rasteve dhe skemave të mashtrimit.
-
“Kurthi” modern për biznesmenët
21 Nëntor, 17:09 -
/ZËRI