Politikë

‘Jam Veliaj’, si Gjergji tentoi t’i zhvaste 200 mijë euro biznesmenit Haxhiymeri

Hera e pestë që Gjergji del në skemat e mashtrimit dhe zhvatjes së biznesmenëve

E.K
‘Jam Veliaj’, si Gjergji tentoi t’i zhvaste 200 mijë euro
Haxhiymeri, Florian Gjergji dhe Veliaj

TIRANË- Florian Gjergji, i shumëkërkuari i policisë për mashtrimin e biznesmenëve ka dalë sërish në skenë. Së bashku me bashkëpunëtorët e tij, një prej të cilëve në pranga, Gjergji ka tentuar që ti zhvasë 200 mijë euro pronarit të fabrikës së miellit ‘Prima’ Adi Haxhiymeri, duke e telefonuar dhe i vendosur gjobë në emër të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Vetë Gjergji nuk është vënë në pranga, ndërkohë që Policia bëri me dije sot se u arrestua shtetasi Arjan Ballcaj, me banim në Kamëz, zonë ku dyshohet se vepron dhe baza e këtij grupi.

Mësohet se Haxhiymeri nuk ka rënë pre e mashtrimit dhe kallëzimi i tij ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit. Ballcaj me profesion taksist, është kapur nga policia teksa kishte shkuar të merrte një pjesë të parave te biznesmeni Haxhiymeri, i cili kishte bashkëpunuar me blutë. 

‘Jam Veliaj’, si Gjergji tentoi t’i zhvaste 200 mijë euro
Arjan Ballcaj, i arrestuar

Kjo është hera e pestë, të paktën publikisht që Gjergji i shpëton prangave. Jo më larg se në muajin Shtator emri i tij doli në skenë për mashtrimin e një biznesmeni, të cilit kishin tentur që ti merrnin shumën prej 70 mijë eurosh. Gjergji dhe bashkëpunëtorët e tij iu prezantuan biznesmenit në fjalë si përfaqësues të një zyrtari shtetëror. Asokohe ranë në pranga Xhonatan Xhaferri, Leonard Xhika, Petro Ferzaj dhe Mikel Panxhi. Ndërkohë që u shoallën në kërkim shtetasit Xhensil Qafa dhe Florian Gjergji.

Prej fillimit të këtij viti Florian Gjergji është një prej personave më të kërkuar sa i takon skemave të mashtrimit. Policia në disa raste ka zbardhur me prova, se si ai vendoste gjoba ndaj biznesmenëve duke u prezantuar herë si kryebashkiak i Vlorës dhe herë si Erion Veliaj i Tiranës.

Episodi i parë ishte ai i një biznesmeni në Kamzë të cilit i kërkoi 13 mijë euro, ngjarje për të cilën u vunë në pranga 3 persona por jo vetë Florian Gjergji nuk u gjet. Nga arratia emri i tij doli në skenë për po të njëjtën vepër penale. Në 13 shkurt ishte “koka” e mashtrimit të një tjetër biznesmeni, pronar i një kazinoje në Tiranë, të cilit sërish i kërkuan para kamufluar si ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame.

Sërish Gjergji nuk u lokalizua dhe u arrestuan të tjerë që përdorte për të tërhequr paratë. Rasti i tretë është ai ku 39-vjeçari tentoi të mashtronte biznesmenin Ram Geci, pasi i shkruajti në aplikacionin “Signal” duke i kërkuar 100 mijë euro sikur të ishte Erion Veliaj, por sërish nuk ra vetë në grackë.

Në operacionin e kësaj të diele, Policia njoftoi vetëm arrestimin e Ballcajt, ndërkohë që burimet i thanë Zëri.ai se hetuesit kanë dyshime se prapa tij qëndronre pikërisht Gjergji, i cili me fat apo me ndihmë ka arritur që t’iu shpëtojë prangave.

/Zëri.ai

Poll

MOS HUMB