Aktualitet

1.2 mln euro dëm në shtet/ Prokuroria mbyll hetimet për Arlind Gjokutaj

Përmbaruesit Alban Ruli dhe Ilir Thana kërkuan gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua.

f.t
1.2 mln euro dëm në shtet/ Prokuroria mbyll hetimet për Arlind
Arlind Gjokutaj

TIRANË- Prokuroria ka mbyllur hetimet për tre të akuzuarit lidhur me veprimet e paligjshme duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1.2 milion eurosh. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e ish-sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Financave, Arlind Gjokutajt për ndarjen e çështjes për gjykim të zakonshëm. Ndërsa përmbaruesit Alban Ruli dhe Ilir Thana kërkuan gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua.

Gjokutaj është arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa iu zëvendësua dy herë masa e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie dhe më pas më detyrim paraqitje. Gjithashtu, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe vetë të pandehurit drejtorit juridik të Ministrisë së Financave Fatmir Hoxha për pushimin e çështjes. 

Arlind Gjokutaj u vu në pranga më 11 janar 2023 bashkë me dy zyrtarë të tjerë të MF-së, përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori i Ministrisë së Financave, Fatmir Hoxha. Të tre akuzohen se i kanë shkaktuar 1.2 milion euro (1.5 miliardë lekë) dëme shtetit. Arrestimi u krye një muaj pas vënies në pranga të qytetarit Ilir Thana, të cilin akuzohen se e kanë ndihmuar të përfitonte disa herë rimbursime nga paratë e shtetit për një godinë dhe një truall. Thana u trajtua si një ish-pronar, edhe pse nuk e gëzonte titullin. Ilir Thana mori vetëm 400 mijë euro deri në momentin e arrestimit, ndërsa ryshfeti për zyrtarët ishte 82 milionë lekë. 

Skema e mashtrimit

Mashtrimi lidhej me një kontratë të firmosur nga Ilir Thana për të blerë një objekt në pronësi të shtetit. Bëhet fjalë për një magazinë nr.2, në vitin 1992 në pronësi të Drejtorisë së Shërbimit qeveritar. Por me një vendim të gjykatës së Apelit, nuk u lejua privatizimi dhe Thanës iu kthyen lekët që kishte blerë objektin, ndërsa godina i ngeli shtetit. Pas disa tentativash, Thana iu drejtua përmbarimit që i dha statusin e pronarit në mënyrë të kundraligjshme, dhe kjo procedurë u kalua nga Ministria e Financave, që miratoi 1.2 milionë euro kompesim për Thanën. Paratë kaluan në llogarinë e motres së Thanës, ndërsa prokuroria ka mundur të sekuestrojë 220 milionë lekë./Zëri.ai/ 

Poll

MOS HUMB