
TIRANË- 3 ditë pas grabitjes së argjendarisë në zonën e Kamzës, policia ka zgjeruar territorin ku po kërkon gjurmët e autorëve të dyshuar.
Mësohet se efektivët e komisariatit numër 5 kanë zbarkuar në Fushë Krujë, ku kanë kërkuar sekuestrimin e disa kamerave të sigurisë në biznese të ndryshme, pasi dyshojnë se autorët mund të kenë lidhje pikërisht me këtë zonë. BMV me targa të falsifikuara, me të cilën ata grabitën argjendarinë dhe humbën gjurmët, është parë për herë të fundit pikërisht në zonën mes Rinasit dhe Fushë Krujës.
Në këtë zonë policia ka pasur shënjestër kontrollesh edhe servise makinash pasi ka dyshime mbi çmontimin e mjetit. Nga hetimet paraprake, duke iu referuar pamjeve filmike, mjeti me të cilët u larguan autorët ka kaluar më zonën e Valiasit dhe me pas ka hyrë në rrugën Donald Trump për të përshkruar më pas bulevardin Nënë Tereza tek argjendaria.
Makina BMW X6 mbante targa të dubluara, gjë e cila u zbulua nga kamerat që janë vendosur së fundi në Bulevardin në Kamëz. Autorët e grabitjes nuk kanë lënë shumë gjurmë, çka tregon sipas policisë se kemi të bëjmë me persona që kanë kryer dhe më herët grabitje, dhe jo njerëz amator.
Pronarja e argjendarisë në dëshminë e saj përpara hetuesve është shprehur se autorët i kanë drejtuar asaj armët, dhe nga komunikimi që kanë pasur nuk ka mundur që të kuptojë nëse flisnin apo jo në dialekt.
Dinamika
Grabitja e argjendarisë në Kamëz ndodhi mbrëmjen e të martës. Sipas hetuesve që kanë kqyrur kamerat e sigurisë, grabitja është kryer për 20 sekonda, ndërkohë që pronarja ka tentuar që të përleshet me ta në mënyrë që të ndalonte grabitjen. Dy prej autorëve tyre ishin të pajisur njëri me një armë të ngjashme me një kallashnikov, ndërsa tjetri mbante në dorë një vare. Grabitësi i tretë kishte në dorë një çantë për të marrë bizhutë.
Në grabitjen e argjendarisë dyshohet se kanë marrë pjesë 4 persona. Pasi kanë marrë bizhuteritë e vendosura në vitrinë, të gjithë kanë hipur në mjetin që kishin me vete, një BMË të bardhë dhe janë larguar në drejtim të Fushë Krujës. Një tjetër detaj është se targat që kishin vendosur në automjetin tip BMË X6, i përkasin një automjeti tjetër tip Hyundai.
Sipas Policisë, këto targa janë kopjuar nga autorët dhe janë vendosur në mjetin e tyre me qëllim për të zhdukur gjurmët.
/ZËRI