GJIROKASTËR-Pas ngjarjes tragjike në Gjirokastër, ku një 15-vjeçar humbi jetën si pasojë e mbytjes, Policia ka arrestuar pronarin e pishinës GLOW, Ermal Koko. Ky i fundit rezulton, bashkëshort i nënkryetares së Bashkisë Gjirokastër, Artiste Koko.
Nuk janë dhënë detaje shtesë mbi natyrën e shkeljeve që i atribuohen pronarit të pishinës, as për procedurat e mëtejshme ligjore që do të ndiqen pas arrestimit në flagrancë. Deri tani raportohet se janë shoqëruar në Polici edhe shtatë persona të tjerë, prej të cilëve dy shokët e të ndjerit dhe anëtarë të personelit të pishinës.
15-vjeçari Arber Peçi më 10 qershor kishte shkuar me shokët për t’u larë në pishinë dhe pas kontaktit me temperaturën e ujit, nuk është ndjerë mirë, duke mbetur në fund të pishinës. Aktualisht, rrethanat e sakta të ngjarjes nuk janë të qarta, ndërsa paraprakisht dyshohet se i mituri ka pësuar infarkt, megjithatë pritet dhe raporti mjeko-ligjor.
