DURRËS-Dogana e Durrësit, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, zhvilloi sot një operacion kontrolli në Portin e Durrësit, ku u sekuestruan lëndë narkotike e dyshuar si kokainë, gurë të çmuar të ngjashëm me diamante, si dhe një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara.
Rasti i parë u zbulua gjatë kontrollit të një automjeti të ardhur me tragetin Ankona-Durrës. Në bagazhet e mjetit u gjet një valixhe që përmbante një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara, së bashku me aksesorët përkatës të montimit. Në një tjetër kontroll, autoritetet ndaluan një shtetas që udhëtonte me automjet nga Italia. Gjatë kontrollit fizik iu gjetën katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamante.
Kontrollet zbuluan edhe një sasi të dyshuar kokaine të fshehur në kabinën e drejtuesit të një automjeti tjetër.



Njoftimi:
Dogana Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, bllokuan ditën e sotme gjatë disa kontrolleve të kryera në Portin e Durrësit një sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, katër gurë të çmuar të dyshuar si diamante, si dhe një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara.
Gjatë kontrollit të një automjeti të mbërritur me tragetin e linjës Ankona–Durrës, u konstatua një valixhe që përmbante aparaturën detektuese dhe disa aksesorë të montueshëm. Gjatë kontrollit fizik të një shtetasi që udhëtonte me një tjetër automjet të ardhur nga Italia, u gjetën katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamantet.
Në një automjet tjetër u zbulua një sasi e dyshuar lënde narkotike, kokainë, e fshehur në një veshje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit. Rastet iu referuan strukturave kompetente për veprime të mëtejshme procedurale dhe hetimore.