
TIRANË- Kur kanë kaluar rreth dy javë nga sulmi që motrat Antonela dhe Mariela Berisha kryen ndaj Klea Prengës, policia nuk ka rënë ende në gjurmët e tyre, edhe pse ndaj të dyjave është lëshuar urdhërarresti. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije, se kërkesa për arrestimin e tyre është bërë nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa ndaj motrave rëndon akuza e plagosjes së rëndë, e kryer në bashkëpunim. Referuar të dhënave nga sistemi TIMS, dy motrat rezultojnë të jenë ende në Shqipëri, pasi ligjërisht nuk kanë dalë nga asnjë prej pikave të kalimit kufitar. Nga ana tjetër, me urdhër të Prokurorisë janë sekuestruar dy automjete në pronësi të tyre.
I pari ai që është përdorur për të shkuar drejt lokalit në zonën e ‘Kodrës së Diellit’ ku dhunuan Prengën, dhe tjetri që kanë përdorur për t’u larguar nga aty. Makinat u identifikuan nga kamerat e sigurisë dhe u sekuestruan nga policia. Mjetet kanë qenë në përdorim të personave të tjerë, miq të motrave.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u zotua disa ditë më parë se “Policia është angazhuar për kapjen e personave në kërkim. Shumë shpejt do të keni njoftimin për kapjen e tyre”, por deri tani një gjë e tillë nuk është bërë e mundur.
Ngjarja u shënua më 6 gusht në një lokal tek Kodra e Diellit në Tiranë, ndërsa vetë 24 vjeçarja e bëri denoncimin dy ditë më pas, teksa postoi edhe pamjet e rënda të pasojave të dhunimit në rrjetet sociale.
Ndërkohë që motrat Berisha kanë zgjedhur që të mos bëjnë asnjë reagim publik në lidhje me ngjarjen, ndërsa në faqen e tyre të biznesit, një dyqan rrobash, kanë vazhduar aktivitetin e tyre me postime dhe reklamimin e veshjeve, duke saktësuar se fotot janë realizuar kohë më parë.
Masakrimi i të resë, e cila u qëllua në fytyrë me shishe qelqi, dyshohet se ka ndodhur për shkaqe xhelozie. E reja që reklamon jetën e luksit dhe modelingun në rrjetet sociale, ka pasur një raport intim me Mir Pepën, i cili nga ana tjetër ka një fëmijë me Mariela Berishën. Vetë Prenga në reagimin e saj në rrjetet sociale pretendoi se nuk kishte asnjë njohje personale me motrat Berisha, ndërsa rrëzoi aludimet se ajo ishte bërë shkak për shkatërrimin e familjes së tyre. /ZËRI