
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në burg këtë të hënë dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit akuzohet për 'Korrupsion pasiv" dhe "Pastrim parash".
Seanca në ngarkim të Malltezit nisi prej orës 13:00, por u ndërpre për disa orë pasi avokatët kërkuan më shumë kohë për tu njohur me provat. Këta të fundit kërkuan nga togat e zeza që seanca të mbahej ditën e nesrme por kjo u hodh poshtë.
Po ashtu GJKKO ka konfirmuar masën e sigurisë "Detyrim paraqitjeje" për biznesmnin Fatmir Bektashi. Ky i fundit akuzohet për "Korrupsion aktiv" dhe "Pastrim parash".
Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha është arrestuar dy ditë më parë në aeroportin e Rinasit pasi akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash” në lidhje me dosjen “Partizani”. Sipas akuzës, Malltezi ka shfrytëzuar postin e vjehrrit të tij, Sali Berisha, atëherë kryeministër për të marrë pronat në ish-kompleksin sportiv “Partizani”. Ndërkohë pas vendimit për arrestimin e tij, GJKKO ka vendosur sekuestro preventive për disa pasuri në emrin e tij, mes tyre dhe vila në zonën e Gjirirt të Lalzit.
Nën hetim për këtë dosje janë dhe kreu i PD-së Sali Berisha dhe biznesmeni Fatmir Bektashi. Të dy nën masën e sigurisë të “Detyrimit të paraqitjes”. Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes por kaloi në "duart" e dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit si trashëgimtar i 140 m2 tokë, arriti të merrte 35 % të sipërfaqes falë një marrëveshje suksesi me trashëgimtarët e tjerë. Si përfundim, qendra më të madhe sportive, me përmasa 26.000 metra katrorë, u pagua vetëm 14.000 euro./Zëri.ai