Aktualitet

GJKKO i gjobiti, avokatët marrin vendimin, Haxhia: Nga e hëna, bojkot edhe seancat për masat e sigurisë!

Vendimi u mor sot me shumicë votash në mbledhjen me Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.

zh.ll
GJKKO i gjobiti, avokatët marrin vendimin, Haxhia: Nga e hëna, bojkot
maks haxhia

TIRANË- Avokatët kanë vendosur të vijojnë me bojkotin kundër rregullores së re të GJKKO-së që u ndalon përdorimin e celularëve në sallat e gjyqit. Vendimi u mor sot me shumicë votash në mbledhjen me Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.

Sipas vendimit, nga e hëna, bojkoti nuk do të prekë vetëm gjyqet në Gjykatën e Posaçme, por do të shtrihet edhe te seancat për masat e sigurisë. Po ashtu, u vendos që çdo gjobë nga avokatët do të anikimohet nga dhoma dhe do të paguhet prej saj.

Vendimi lidhet edhe me të gjithë të arrestuarit, të cilët duhet të dalin para Gjykatës për vlerësimin e masës brenda 72 orëve, ose në të kundërt arrestimi bëhet i pavlefshëm.

Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë, Maks Haxhia, konfirmoi vijimin e bojkotit, teksa shtoi për avokatët se nëse gjobat do të mbeten në fuqi do të mbulohen nga Dhoma e Avokatisë.

“I jemi drejtuar edhe KLGJ-së për këtë problem dhe nuk ka pasur asnjë përgjigje. Ne duam që drejtësia të ecë përpara, që të zgjidhen problemet e individëve në Republikën e Shqipërisë. OSBE na ka dalë në mbrojtje. Edhe ndaj këtij reagimi, sërish nuk ka pasur një përgjigje nga ana e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.

Gjobat ne do i ankimojmë. Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet e drejtësisë për gjobat që na kanë vendosur. Nuk mund të prevalojë një rregullore, që nuk është për ne. Është një rregullore, që nuk përshtatet me ligjin. Edhe në rast se gjobat qëndrojnë, do i mbulojë Dhoma e Avokatisë. Ne do e ndjekim situatën deri në fund nga ana ligjore“, tha Maks Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Më 21 shtator, GJKKO gjobiti mbi 10 avokatë me nga 50 mijë lekë të rinj. Masa administrative erdhi në një kohë kur GJKKO ka bërë të ditur se rregullorja e re do të vijojë të zbatohet, duke e bërë të qartë se nuk do të tërhiqet. 

Rregullorja e re GJKKO-së hyri në fuqi më datë 1 shtator. Me ndryshimet e reja kufizohet numri i përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, hiqet praktika e deritanishme që lejonte filmimin e minutave të para të seancave, ndalohet filmimi në korridoret e gjykatës dhe gazetarët do të duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore. 

Gjithashtu, rregullorja e re ndalon mbajtjen dhe përdorimit e telefonave celularë, laptopëve dhe tabletëve brenda sallave të gjyqit për avokatët. Megjithatë në rregullore thuhet se: Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore./ZËRI

Poll

MOS HUMB