FRANCË- Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri do të vijojë të qëndrojë në burg në Francë pasi Gjykata e Apelit në Amiens ka rrëzuar kërkesën e tij për lirim. Vendimi vjen ndërsa drejtësia franceze po shqyrton kërkesën e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij.
Sipas Le Courrier Picard gjykata mori vendimin të premten më 23 tetor kur Beqiri u paraqit sërish para trupës gjykuese vetëm tri ditë pas shqyrtimit të mëparshëm të kërkesës së tij për lirim. Gjyqtarët vendosën të mos e pranojnë kërkesën duke e lënë biznesmenin pas hekurave.
Në të njëjtën ditë Dhoma e Hetimit në Amiens shqyrtoi edhe çështjen e ekstradimit të Beqirit drejt Shqipërisë. Kërkesa është paraqitur nga autoritetet shqiptare, të cilat e kërkojnë biznesmenin në kuadër të një hetimi që lidhet me kontratat publike.
Beqiri u arrestua në Francë në fund të korrikut në Méaulte pranë Albertit. Arrestimi i tij erdhi pas një fluturimi me avionin e tij mbi centralin bërthamor të Penly, në rajonin e Seine-Maritime, sipas raportimit të medias franceze./ZËRI