Aktualitet

68 milionë euro të pastruara me kriptomonedha, goditet 'banka e fshehtë' e mafias me italianë dhe shqiptarë

Në hetim janë përfshirë edhe bashkëpunëtorë shqiptarë, të dyshuar për lidhje me aktivitetin financiar të grupit.

M.K.
68 milionë euro të pastruara me kriptomonedha, goditet 'banka e
foto

ITALI- Një rrjet i dyshuar kriminal që kishte ngritur një sistem paralel financiar për lëvizjen dhe pastrimin e parave është goditur nga Guardia di Finanza në Itali. Operacioni ka çuar në 30 arrestime, ndërsa pasuritë e sekuestruara kapin vlerën e mbi 21 milionë eurove. Në hetim janë përfshirë edhe bashkëpunëtorë shqiptarë, të dyshuar për lidhje me aktivitetin financiar të grupit.

Sipas mediave italiane, hetimi ka nxjerrë në dritë një strukturë të përshkruar si 'bankë e fshehtë', e cila funksiononte në Pero, në zonën e Milanos, e maskuar pas një kompanie që merrej me dhënien me qira të automjeteve. Nëpërmjet kësaj skeme dyshohet se janë pastruar rreth 68 milionë euro, ndërsa janë evidentuar edhe fatura të dyshuara fiktive me vlerë mbi 110 milionë euro.

Pas kompanive në dukje të zakonshme fshihej një mekanizëm i ndërlikuar financiar. Paratë qarkullonin përmes faturimeve për shërbime apo transaksione që dyshohet se nuk kishin ndodhur, duke krijuar një justifikim për lëvizjen e shumave të mëdha. Më pas, fondet riktheheshin te personat që i kishin vendosur në qarkullim, në formën e parave cash ose përmes transfertave jashtë vendit.

Një pjesë e rëndësishme e skemës lidhej edhe me kriptomonedhat. Sipas hetuesve, këto instrumente përdoreshin për të zhvendosur dhe fshehur gjurmët e parave, duke e bërë më të vështirë identifikimin e origjinës së tyre.

Hetimi dyshohet se ka prekur një rrjet me lidhje me disa prej organizatave më të njohura mafioze italiane. Mes emrave të përmendur nga autoritetet janë persona të lidhur me ’Ndrangheta-n, Camorra-n dhe Mafia e Katërt. Paratë dyshohet se vinin kryesisht nga mashtrimi fiskal, por në qarkullimin financiar të rrjetit dyshohet se kanë hyrë edhe të ardhura nga trafiku ndërkombëtar i drogës dhe armëve.

Në kuadër të operacionit është arrestuar edhe në Lugano të Zvicrës një 62-vjeçar italian, i dyshuar se kishte rol në menaxhimin e flukseve financiare. Sipas hetimeve, ai do të kishte ndihmuar në lëvizjen e parave përmes kompanive të huaja dhe platformave të kriptomonedhave.

Për 62-vjeçarin është vendosur masa e ndalimit në pritje të procedurave për ekstradimin drejt Italisë. Ai dyshohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, me rrethana rënduese të lidhura me metodën mafioze.

Operacioni është shtrirë në disa zona të Italisë dhe në kantonin Ticino të Zvicrës, ku mbi 350 efektivë të Guardia di Finanza-s kanë marrë pjesë në kontrolle dhe sekuestrime.

Mes pasurive të sekuestruara janë para cash, llogari bankare, kriptomonedha, automjete, varka, bizhuteri, ora luksoze dhe pajisje për numërimin e parave.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej të dyshuarve dhe për të zbardhur të gjithë mekanizmin financiar të rrjetit, përfshirë lidhjet e tij me bashkëpunëtorët shqiptarë./ZËRI

Poll

MOS HUMB