Aktualitet

Ankimuan formulën e re të miratuar në Kuvend, "Kushtetuesja" kalon në seancë kërkesën e Magjistratëve

Pas miratimit në Kuvend të formulës së re për pagat e magjistratëve, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç kishin paralajmëruar.

zh.ll
Ankimuan formulën e re të miratuar në Kuvend,
foto ilustruese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka vendosur kalimin në seancë të kërkesës së Magjistratëve për çështjen e pagave. Pas miratimit në Kuvend të formulës së re për pagat e magjistratëve, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç kishin paralajmëruar.

Në kërkesën e tyre, shoqatat kërkojnë shfuqizimin e ligjit nr. 95/2026, që ndryshon ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po ashtu, ata kërkojnë pezullimin e zbatimit të ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Kreu i qeverisë i ftoi publikisht magjistratët në një tryezë të përbashkët, një ditë pas miratimit në Kuvend të projektligjit për pagat e magjistratëve me 84 vota pro, që parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Menjëherë pas miratimit në Kuvend, ligji u dekretua nga presidenti Bajram Begaj.

Në deklaratë shkruhej:

Me keqardhje kemi ndjekur procedurën parlamentare për miratimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”. Që në fillim, kjo procedurë është karakterizuar, në vlerësimin tonë, nga shkelje të kërkesave kushtetuese, duke nisur nga miratimi i projektligjit përtej afatit kushtetues, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, mungesa e konsultimit efektiv dhe dëgjimi tërësisht formal i grupeve të interesit dhe, në fund, hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit.

Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi.

Kjo kërkesë bëhet e domosdoshme pasi, përmes këtij ligji, cenohet jo vetëm statusi financiar i magjistratëve, i cili është i lidhur ngushtësisht me garantimin e pavarësisë së tyre, por edhe vetë themelet e shtetit të së drejtës, për shkak të mosrespektimit të hapur të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Shoqatat tona shprehin bindjen e plotë në integritetin e procesit kushtetues dhe besimin se Gjykata Kushtetuese do të rivendosë standardet kushtetuese të cenuara. Kemi besimin e plotë se do të jetë pikërisht procesi kushtetues ai që do të sqarojë çështjet e ngritura dhe do të hedhë poshtë përpjekjet për të diskredituar magjistratët dhe kërkesat e tyre legjitime.

Theksojmë edhe një herë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare, siç është tentuar, në mënyrë të shtrembëruar, t’i paraqitet opinionit publik gjatë gjithë këtij procesi. Ajo lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, garantimin e pavarësisë së organeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e themeleve të shtetit të së drejtës.

Për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe vlerave kushtetuese, shoqatat tona mbeten të palëkundura dhe do të përdorin çdo mjet ligjor që Kushtetuta dhe ligji u vënë në dispozicion. /ZËRI

Poll

MOS HUMB