TIRANË- Shqipëria ka nënshkruar sot marrëveshjen zyrtare me Bordin e Paqes për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza. Përmes një postimi në rrjete sociale, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndau pamjet nga ceremonia, ku mori pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt.
Ceremonia u zhvillua në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Marrëveshja u firmos nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, dhe komandanti i ISF-së, Jasper Jeffers.
"Nënshkruhet marrëveshja zyrtare me Bordin e Paqes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. Si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në #përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes, garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për një stabilitet të qëndrueshëm në Gaza.", shkruan ministri krahas fotove.
Në korrik të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për angazhimin e Forcave të Armatosura në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit.
Ndërkohë, në shtator, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gazë. Ligji parashikon që Shqipëria mund të kontribuojë me trupa në Gaza, me një numër maksimal deri në 40 ushtarakë.
Shqipëria është një nga vendet themeluese të Bordit të Paqes për menaxhimin e konflikteve dhe stabilizimin pas konflikteve, iniciuar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Më 19 shkurt, në mbledhjen e Bordi të Paqes, kryeministri Edi Rama konfirmoi pjesëmarrjen e trupave shqiptare në Gaza, duke ftuar edhe vendet e tjera që të kontribuojnë atje. /ZËRI
