
TIRANË- I penduari i drejtësisë Erion Alibej ka deklaruar në gjyq se ai kërkonte me ngulm të vriste Talo Çelën. Në rrëfimin që bëri sot, Alibej thotë se Çela ishte një ‘trim’ që qëndronte gjithmonë në Dubai. Për këtë arsye, gjetjen e tij e kishte të vështirë dhe bashkëpunëtor më të ngushtë si informator, kishte Xhuliano Hoxhën.
“Gjithmonë e kam paguar sa herë më ka kërkuar Xhuljani. Kam pasur kontakt dhe me bashkëshorten e tij. Njëherë e kam incizuar bisedën e Xhuljano Hoxhës, kur më kërkonte para nga burgu. Incizimin e kam dorëzuar në prokurori përpara agjentëve, sepse ai më vinte kushte. Më jepte shumë informacione dhe kur ishte në burg, më jepte info për gjithçka në kohë reale. Për Talo Çelën, Xhuljano kishte dijeni që doja ta vrisja. Flija dhe zgjohesha vetëm për Talo Çelën, sepse ai ishte kryesori. Ishte nga ato trimat që rrinin vetëm në Dubai dhe nuk vinin në Shqipëri. Këto i hodhën poshtë si qen njerëzit e vet,”- tha Alibej.