
TIRANË-I penduari i drejtësisë, Erion Alibej ka vijuar sot të dëshmojë në Gjykatën e Posaçme. Ai ka rrëfyer si morën vendimin për të ekzekutuar Bujar Çelën ( vëllain e Talo Çelës), krim i ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 17 Shtator 2020 në fshatin Bradashesh të Elbasanit. Alibej tha se Xhuljano Hoxha ishte bashkëpunëtori i tij më i mirë, sepse e informonte për çdo gjë në lidhje me lëvizjet e kundërhstarëve të tij dhe për këtë e paguante sa herë i kërkonte para.
Madje edhe e kishte incizuar, për shkak se sipas tij, Hoxha i vinte shpesh edhe kushte dhe kishte kërkesa. Incizimin shpjegoi se ia kishte dorëzuar edhe agjentëve.
Erion Alibej: Bujar Çela është vëllai i Talo Çelës, njeriu më i afërt i Talos. Ka qenë taksist. Pas vrasjes së Emiliano Ramazanit, diskutova me Nuredinin, që armën e krimit ta vendosnim tek shtëpia e Bujar Çelës. E dija ku e kishte shtëpinë. Unë kisha informator Xhuliano Hoxhën. Bujar Çela kishte një pikë shumice afër shtëpisë. Përmes Xhuliano Hoxhës deshëm të gjejmë diçka që Bujari e kishte prekur me dorë, një qese, apo diçka. Doja që në të të fusnim armën e krimit dhe ta groposnim tek shtëpia. Më pas do sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit. Nuk e arritëm dot këtë dhe diskutuam, që duke qenë njeri i afërt i Talos, por edhe pse përmes taksisë bënte punë e lëvizje për Talo Çelën, vendosëm ta ekzekutonim. Si fillim u angazhua nipi, që i referohem Skerdi Tases dhe kushos, që i referohem Henrik Hoxhajt. U angazhua kusho me nipçen për ta ekzekutuar.