Aktualitet

Forumi i kryeprokurorëve/ Dumani: Krimi është kudo! Çela: Duhet koordinim. Gonzato: Identifikimi i parave, thelbësor

Dumani theksoi se lufta kundër krimit të organizuar është një betejë që nuk njeh kufij gjeografikë, por kërkon bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar.

F.I
Forumi i kryeprokurorëve/ Dumani: Krimi është kudo! Çela:
Altin Dumani, Silvio Gonzato dhe Olsian Çela

TIRANË-Në Tiranë po zhvillohet Forumi Konsultativ i Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor. Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, gjatë Forumit Konsultativ të Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, u shpreh se asnjë vend i rajonit nuk mund t’i bëjë ballë fenomeneve të krimit vetëm. Dumani theksoi se lufta kundër krimit të organizuar është një betejë që nuk njeh kufij gjeografikë, por kërkon bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar.

Altin Dumani: Ne nuk na bashkon vetëm gjeografia, por edhe përkushtimi i përbashkët për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Asnjë vend i rajonit nuk mundet t’i bëjë ballë këtyre fenomeneve i vetëm. Grupet apo organizatat kriminale janë të ndërlidhura, operacionet transaksionale dhe rrjetet e tyre janë të shtrirë kudo. Një hetim që nis në një vend na çon drejt fakteve të dyshuarve, apo lëvizjes së parave në një vend tjetër. Për t’i shpërbërë këto struktura na duhet të veprojmë me vendosmëri jo vetëm bredna territoreve respektive, por edhe në mënyrë kolektive si pjesë e rajonit”, tha Dumani, sipas të cilit kjo do të thotë më shumë hetime të përbashkëta, ndarje më e shpejtë e informacionit, besim i ndërsjelltë mes prokurorëve dhe një vizion i qartë “që gjeografia nuk e pengon, por e ndihmon bashkëpunimin. Eurojust është një nyje strategjike që na ka ndihmuar të kapërcejmë pengesat frenuese të bashkëpunimit ndërkombëtar. Për SPAK-un, bashkëpunimi ka dhënë rezultate të prekshme.

Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, u shpreh se duhet përcaktuar qartë trajektorja që do të përshkruhet në drejtim të bashkëpunimit rajonal sa i takon çështjeve të drejtësisë. Sipas tij ka nevojë për koordinim më të mirë mes agjencive ligjzbatuese.

Olsian Çela: Për Shqipërinë dhe jo vetëm, arritjet e deritanishme përbëjnë një progres të dukshëm që do të thotë që sistemet tona të drejtësisë janë në rrugën e duhur të standardizimit dhe harmonizimit në rrugën drejt BE-së. Jemi të vetëdijshëm që puna jonë edhe në raportin rajonal lidhet ngushtë me këtë proces, ndërsa ky projekt ka hedhur themelet drejt një integrimi më të fortë dhe të sigurt dhe më afër familjes evropiane. Shpresoj që dita e sotme të vlejë pozitivisht duke përcaktuar qartë trajektoren që duam të përshkrojmë në vijimin e bashkëpunimit rajonal. Falë këtij projekti kemi parë përmirësime konkrete në funksion të bashkëpunimit rajonal, krejt e paimagjinueshme disa vite më parë. Ka nevojë për një koordinim më të mirë së pari mes të gjitha agjencive ligjzbatuese në rrafshin kombëtar në mënyrë që të harmonizohen aktivitet hetimore dhe ritmi i tyre në raport me vendet e tjera që do të punohet. Është shenjë e një angazhimi serioz dhe afatgjatë që ndërsa do të krijojë dinamika të reja në bashkëpunimin dypalësh do japë efekte pozitive në drejtim të konsolidimit të veprimit të koordinuar në planin rajonal.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se forcimi i sundimit të ligjit ka një rëndësi thelbësore për vendet në procesin e anëtarësimit në BE dhe rezultatet e prekshme në këtë drejtim janë elementë thelbësore për të ecur përpara në procesin e integrimit. Gonzato vlerësoi se bashkëpunimi i ngushtë midis gjyqësorit dhe aktorëve përtej kufirit dhe përgjigjet e koordinuara janë thelbësore jo vetëm për të luftuar krimin ndërkufitar por edhe për të mbrojtur më mirë viktimat e krimit.

Silvio Gonzato: Ne e njohim angazhimin e vendeve në rajon për të luftuar krimin e organizuar, që është i dëmshëm për kohezion social dhe gërryen besimin  e qytetarëve tek institucionet. Rrjetet kriminale përdorin edhe institucionet për të zgjeruar ndikimin e tyre. Duhet të punojmë sëbashku. Forcimi i sundimit të ligjit është sfidë thelbësore për vendet që duan të anëtarësohen në BE. Puna juaj ndikon direkt në këtë proces! Pandëshkueshmëria nuk duhet të jetë e pranishme në shoqëri. Natyra në zhvillim e krimit ndërkombëtar kërkon vigjilencë dhe nisma konkrete si dhe burime financiare e njerëzore. Identifikimi i të ardhurave nga krimi është thelbësor në Shqipëri, si dhe rimarrja e aseteve. Duhet bashkëpunim gjyqësor më tej dhe përdorimi i të gjitha mjeteve në dispozicion, mbështetja e ofruar nga ky projekt për Ballkanin Perëndimor, ka efekte mjaft praktike përveç kontributeve të vlefshme që prokurorët japin. Përmes projektit, vendet kanë akses në burimet dhe praktikat më të mira të Eurojust. BE qartësisht përmes Eurojust dhe delegacioneve do vazhdojë t’ju mbështesë në punën tuaj. Grupet kriminale përdorin korrupsionin në nivele të larta për të zgjeruar ndikimin e vet apo për t’iu shmangur drejtësisë. Ndaj duhet të punojmë së bashku për të hequr këtë ndjenjë pandëshkueshmërie dhe për të ulur hendekun midis politikës, gjyqësorit dhe qytetarit.

Poll

MOS HUMB