Aktualitet

Raporti i KE: Kritika të forta për KLP dhe KLGJ! Alarm për presion mbi drejtësinë

Komisioni Evropian nënvizon në raportin e fundit “Non-paper” se ky zhvillim ka ngritur shqetësime serioze mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

F.I
Raporti i KE: Kritika të forta për KLP dhe KLGJ! Alarm për
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-ZËRI ka siguruar raportin e plotë të Komisionit Europian, për sundimin e ligjit në Shqipëri, për situatën politike, zgjedhjet e 11 majit dhe institucionet e tjera. Raporti mbulon katër shtylla : sistemet kombëtare të drejtësisë, kornizat kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe pluralizmin si dhe kontrolle dhe balanca të tjera institucionale.

Komisioni Evropian në raportin e fundit “Non-paper” ka ngritur shqetësim mbi mandatet e Gjykatës Kushtetuese dhe moszbatimin e vendimeve të saj nga ana e Kuvendit. Në dokument thuhet se pasiguria ligjore për mandatet e anëtarëve të saj, përbëjnë një shqetësim të madh. Po për Gjykatën Kushtetuese, Komisioni Evropian ka deklaruar se moszbatimi i vazhdueshëm i disa prej vendimeve të saj nga ana e Kuvendit, është shqetësuese. 

Në lidhje me shkollën e magjistraturës, konsiderohet “i rëndë”, “fakti që ish-magjistratët që kanë dhënë dorëheqjen gjatë vetingut dhe janë subjekt ndalimi për të mbajtur pozita të larta në sistemin gjyqësor, janë të lirë të punësohen si staf pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës”.

Shqetësim për Brukselin mbeten problemet e vërejtura dhe më parë, në dy organet kryesore të sistemit, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.

"Koordinimi midis Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLGJ) mbetet për t'u përforcuar. KLGJ dhe KLGJ duhet të miratojnë rregullat e nevojshme të brendshme operative për të kryer funksionet e tyre në mënyrë efektive, duke përfshirë adresimin e konflikteve të interesit. Nuk pati zhvillim dhe sfidat vazhdojnë në harmonizimin e dispozitave për kontrollet e të dhënave dhe deklarimin e pasurisë për emërimin e anëtarëve jo-magjistratë të KLGJ dhe KLGJ me rregullat për magjistratin. Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të demonstrojnë koordinim më efektiv në menaxhimin e prokurorive dhe karrierën e prokurorëve. Gjykata Kushtetuese vazhdoi të funksionojë në mënyrë efektive, ndërsa mungesa e zbatimit nga Parlamenti të disa vendimeve të saj dhe pasiguria ligjore mbi kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të saj janë shqetësuese. KLGJ-së, i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e saj në mënyrë efektive, ndërsa ato të KLP-së kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konflikteve të interesit të mos trajtohen,"-thuhet në raport.

Për SPAK-un, dokumenti vë në dukje se:"ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, megjithëse vijojnë mungesat në staf dhe infrastrukturë. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatat e posaçme për korrupsion dhe krim të organizuar kanë dhënë rezultate pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të lartë, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. SPAK shfaq një vizion të qartë strategjik dhe pavarësi në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presionit politik, grupeve të krimit të organizuar dhe medias. SPAK gëzon një nivel të lartë besimi nga publiku. Është bërë përparim i prekshëm nga SPAK drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, ndërkohë që është përmirësuar përdorimi i hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurive."

Lufta kundër korrupsionit

Një rast i paprecedentë presioni institucional ndaj drejtësisë shqiptare ka ngritur alarmin në Bruksel. Arrestimi dhe hetimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i konfirmuar nga Gjykata e Posaçme (SPAK) në 10 shkurt 2025, ka shkaktuar reagime të forta nga ana e qeverisë dhe Kuvendit, të cilat janë interpretuar si përpjekje për të ndikuar dhe intimiduar institucionet e drejtësisë. Komisioni Evropian nënvizon në raportin e fundit “Non-paper” se ky zhvillim ka ngritur shqetësime serioze mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

"Ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet në rritje nga zyrtarët publikë ose politikanët për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor kanë përkeqësuar shqetësimet. Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar nga Gjykata e Strukturës së Specializuar kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) në shkurt të vitit 2025, shkaktoi reagime të papara publike nga degët ekzekutive dhe legjislative, duke përfshirë përpjekjet për të ushtruar presion mbi SPAK dhe institucionet gjyqësore. Kjo ngre shqetësime serioze,"-thuhet në draft.

Në dokument thuhet se: Përfshirë ish-ministra, ish-President të Gjykatës Kushtetuese, ish-kryetarë bashkie dhe zyrtarë të tjerë. Në nëntor 2024, Gjykata e Apelit e SPAK dha vendimin përfundimtar për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, duke ashpërsuar dënimet për një ish-Ministër të Mjedisit dhe një ish-deputet. Në dhjetor 2024, kjo gjykatë pranoi kërkesën e SPAK për rishikimin e vendimit “i pafajshëm” për tre persona të akuzuar në çështjen e inceneratorit të Fierit. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi 93 persona për çështje korrupsioni, përfshirë ish-kryetarin e Bashkisë Durrës, i cili u dënua me 4 vite burg për veprime të paligjshme në dhënien e një leje ndërtimi dhe shpërdorim fondesh publike.

SPAK vazhdoi të ketë rezultate pozitive në hetim, ndjekje penale dhe operacione të përbashkëta, përfshirë edhe në bashkëpunimin ndërkombëtar. Për korrupsionin në nivele të larta, nga janari deri në shtator 2024, u çuan në gjykim 7 çështje penale ndaj 10 zyrtarëve të lartë. Deri më 30 shtator 2024, u nisën 6 hetime të tjera kundër 14 individëve.

Krimi i organizuar dhe droga

Megjithëse janë regjistruar arrestime të profilit të lartë dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë 127 milionë euro në 2024, ende mungon një praktikë konsistente e hetimeve financiare. Ligji për Byronë e Rikuperimit të Aseteve është vonuar dhe ajo ende nuk funksionon siç duhet. Shqipëria ka vijuar përshtatjen ligjore dhe ndërtimin institucional, përfshirë krijimin e një Zyre për Rikuperimin e Aseteve (ARO) brenda Policisë së Shtetit. Por funksionimi i plotë i ARO-s mbetet për t’u dëshmuar.

U regjistruan arrestime të profilit të lartë, por nevojitet më shumë përputhje ligjore me acquis dhe dënime përfundimtare për të gjitha fushat e krimit të organizuar. Nevojiten përpjekje shtesë në:
• Trafikun e armëve,
• Pastrimin e parave,
• Trafikun e qenieve njerëzore,
• Abuzimin seksual me fëmijët (online dhe offline),
• Cybercrime (krimi kibernetik).

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian:
• Në 2023:
• 160 hetime të reja,
• 109 aktakuza,
• 337 vendime përfundimtare,
• 100 dënime përfundimtare për krim të organizuar.
• Në 9 mujorin e parë të 2024:
• 212 hetime të reja,
• 102 aktakuza,
• 140 vendime,
• 54 dënime.

Për krime të rënda në përgjithësi (2024):
• 1201 hetime,
• 1079 aktakuza,
• 1526 vendime,
• 1508 dënime (rritje krahasuar me 2023).

Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Pavarësisht miratimit të Planit Kombëtar të Veprimit për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore (2024-2025) në korrik 2024, Shqipëria vazhdon të ketë mungesa në kapacitete për zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të rrjeteve të trafikimit. Trafikimi i fëmijëve është veçanërisht i lartë: në vitin 2023, fëmijët përbënin 66% të viktimave të mundshme dhe të konfirmuara. Është ende e nevojshme zbatimi i plotë i Mekanizmit Kombëtar të Referimit për viktimat e trafikimit.

Liria e medias dhe e shprehjespërqendrim, mungesë pavarësie dhe kërcënime ndaj gazetarëve

Raporti vëren mungesë të një reforme të mirëfilltë ligjore për median, ndërhyrje politike në RTSH, përqendrim të pronësisë dhe transparencë të ulët mbi financimin. Raportohen 45 raste të shkeljes së sigurisë së gazetarëve dhe 43 padi SLAPP kundër tyre. Qeveria pritet të sjellë ndryshimet ligjore për konsultim me Komisionin e Venecias. Po ashtu KE thekson se shkarkimi nga Kuvendi i të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH dhe emërimet e reja kanë ngritur shqetësime për pavarësinë e transmetuesit publik.

Në përfundim Komisioni Evropian njeh progresin e bërë nga Shqipëria në disa fusha kyçe si drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe menaxhimi i kufijve, por thekson se pa zgjidhjen e problemeve serioze si presioni ndaj drejtësisë, mungesa e reformave në media, dhe mbrojtja e pamjaftueshme e të drejtave themelore, negociatat për anëtarësim nuk mund të ecin përpara./ZËRI

Poll

MOS HUMB