Aktualitet

Rinumërimi për 4 qarqe! Mbyllet Gramshi&Peqini, PD: Ka prova për 'trenin bullgar'! KAS: Ende herët për përfundime

Në total, do të hapen 2,323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kuti të votimit nga diaspora.

F.I
Rinumërimi për 4 qarqe! Mbyllet Gramshi&Peqini, PD: Ka prova
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Sot në Pallatin e Sportit "Fahrie Hoti" nisi procesi i rinumërimit të kutive të votimit duke përfshirë qarqet kryesore të vendit: Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan. Fillimisht procesi ka nisur për Gramshin dhe Peqinin, duke sjellë hapjen e 94 kutive për të krahasuar fletët e votimit që janë në kuti me materialet zgjedhore. Nga përfundimi i numërimit, është dalë në përfundimin se 15 fletë votimi janë me një vulë dhe jo nga dy siç parashikohet në rregulloren e KQZ-së.

Gjithashtu është konstatuar se ka patur mungesë të fletve të papërdorura të votimit si dhe kanë rezultuar më tepër fletë votimi sesa votuar. Procesverbalet e konstatimit do i vihen në dispozicion Partisë Demokratike-ASHM. Pasi të bëhet analiza e  gjetjeve, kërkesat e tjera do të paraqiten sërish në seancën e radhës së Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).

Përfaqësuesi i PD në procesin e rinumërimit, deputeti i zgjedhur Blendi Himçi tha se kjo provon fenomenin e "trenit bullgar". 

“Fleta hyn te kutia e të vlefshmeve, është vetëm më një vulë dhe vazhdojnë e konstatojnë si të vlefshme, dhe vota sigurisht është për PS-në. Edhe fleta tjetër, që s’ka vulë farë është shënuar e vlefshme për numrin 5, për PS-në, pjesë e trenit bullgar. Po kërkojnë ti konstatojnë përsëri të vlefshme. Duhet bërë korrigjimi edhe i tabelës por jo vetëm, edhe konstatimi për pavlefshmëri i kësaj kutie. Për sa kohë futet një fletë bosh, e cila ka krijuar trenin bullgar dhe shikoni dhe rezultatin e kësaj qendre, është që kjo kuti të dali e gjitha e pavlefshme. Kjo është kërkesa jonë lidhur me këtë kuti votimi. Ky është një proces që ne e kemi konstatuar nga pamjet filmike. Po e rishikojmë dhe këtu dhe është një situatë skandaloze,”- tha Himçi.

Pas pretendimeve të tij, anëtari i KAS i sqaroi Himçit se nuk kemi të bëjmë me rinumërim në Gramsh e Peqin, por vetëm me verifikim dhe në këtë fazë numëruesit shënojnë vetëm parregullsitë që konstatojnë. Anëtari i PD në KAS, Elvis Çefa në një prononcim për mediat foli pas verifikimit të 94 kutive duke u shprehur kanë evidentuar disa problematika si pasqyrim jo të saktë të numrit të fletëve të votimit të papërdorura apo kur procesverbalet nuk janë administruar sipas akteve nënligjore që përcakton Komisioni Rregullator.

“Është ende herët për të arritur në konkluzione, e keni parë vetë që ishim në fazën e grumbullimit të provave. Ky ishte qëllimi kryesor që unë dhe kolegu im vendosëm të hapim kutitë, për të administruar dhe rivlerësuar provat. Provat e administruara deri më tani, do t’i shpërndahen palëve, duke u dhënë kohën e nevojshme që të përpunojnë të gjitha të dhënat dhe t’u jepet mundësia të rishikojnë problemet e tyre. PD ka paraqitur në KAS një kërkesë për pavlefshmërinë dhe që të shkohet tek pavlefshmëria duhet që ky proces të nisë në formë piramidale duke nisur nga pavlefshmëria e kutive të votimit. Ky është një proces për t’u parë, do mblidhen rezultate, do konkuldohen dhe do paraqitet kërkesa në KAS, ku do kenë palët mundësinë të ri dëgjohen, të argumentuar mbi provat e mara dhe të mbledhura gjatë procesit të sotëm dhe më pas do konkludojmë pranimin ose jo të kërkesës ankimore. Tipologjia e gabime është ajo që është evidentuar edhe në seanca të tjera të KAS, ka pasqyrim jo të saktë të numrit të fletëve të votimit të papërdorura, ka raste të tjera kur procesverbalet nuk janë futur ose administruar në mënyrën që aktet nënligjore të komisionit rregullator përcaktojnë. E rëndësishme është se sa këto prova impaktojnë në vlefshmërinë e procesit zgjedhor, është ende herët se duhet të mbledhim rezultatet e gjithë zonës,"-tha ai.

Pasi të parashtrohen ankesat, do jetë KAS që do të vendosë në fund, nëse gjetjet e procesit të verifikimit do përbëjnë prova të mjaftueshme për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e qarkut të Elbasanit.

Ndërkohë që nesër do të nisë rinumërimi i të gjitha votave të subjekteve politike dhe të kandidatëve në qarkun e Tiranës (1.282 kuti), më pas për Fierin (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora).  Në total, do të hapen 2,323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kuti të votimit nga diaspora. Rinumërimi do të realizohet nga 24 grupe numërimi, të përbëra nga 63 punonjës të administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), prej të cilëve 48 janë numërues dhe 15 zëvendësues.

Çdo tavolinë rinumërimi (24 në total) do të ketë praninë e vëzhguesve të autorizuar nga tre subjektet kryesore ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Partia Mundësia. Për të garantuar transparencën, të gjitha veprimet do të transmetohen drejtpërdrejt online nga Pallati i Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ku po zhvillohet procesi.

Tiranë: Rinumërimi përfshin të gjitha kutitë e votimit brenda vendit, me 18 KZAZ dhe 1,282 qendra votimi.

Fier: Rinumërimi përfshin të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët, me 9 KZAZ dhe 587 qendra votimi.

Durrës: Do të rinumërohen 360 kuti, duke përfshirë 111 kuti të KZAZ nr. 21 dhe 22, 126 kuti sipas kërkesës së PD-ASHM dhe 60 sipas PLL-së, si dhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit.

Elbasan: Rinumërim i 94 kutive të KZAZ nr. 45 dhe 52, përfshirë fletët e votimit dhe materialet zgjedhore.

Buxheti i përcaktuar për rinumërimin kap vlerën e rreth 21 milionë lekëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB