Aktualitet

Erë dhe shtrëngata! Dy qarqet që do të goditen sot nga stuhia e motit

Situata do të përkeqësohet sërish ditën e mërkurë, ku do të rikthehen reshjet intesive të shiut

E.K
Erë dhe shtrëngata! Dy qarqet që do të goditen sot nga
Permbytjet ne Tirane

TIRANË- Gjatë ditës së sotme moti pritet të jetë me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit më tepër të theksuara në veriperëndim dhe jugperëndim.

Në orët e pasdites në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.

Vlen për t’u theksuar se pritet erë tepër intensive dhe problematike kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore.

Era pritet të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 3-12m/s ndërsa me rrahje era intensive 15-25m/s shoqëruar me dallgëzim të lartë në dete të forcës 5-7 ballë.

Specialistët e Institutit të Gjeoshkencave thonë se përgjatë së dielës do ketë reshje me intensitet të lartë në Kukës dhe në Shkodër. Ndërkohë, në qarkun e Lezhës priten reshje me intensitet mesatar, ndërsa në qarqet e tjera situata do të stabilizohet.

Prej dy ditësh vendi ynë ka qenë nën pushtetin e reshjeve të shumta të shiut dhe stuhive që kanë sjellë një sërë problematikash në akset rrugore, dhe në pëmbytjen e shumë bizneseve veçanërisht në kryeqytet.

Reshjet me intesitet të lartë pritet të rikthehen gjatë të mërkurës në vendin tonë, ndërkohë që më herët stuhia “Ciaran” shkaktoi përmbytje të mëdha dhe në shtetin italian, ku u shënuan dhe disa viktima.

Përgjatë ditës së djeshme në disa zona të vendit u shënuan dhe reshjet e para të borës për këtë vit, ndërsa temperaturat u ulën ndjeshëm. Reshje pati në qarkun e Dibrës dhe në malësinë e Kukësit. Një prej problematikave më të mëdha në infrastrukturën rrugore ishte Rruga e Arbrit ku pati shembje të asfaltit në disa pjesë, dhe kalimi i makinave u bë me vështirësi./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB