
TIRANË- Arrestohet në Itali 35-vjeçari shqiptar, Juri Imeraj. 35-vjeçari është vendosur në pranga sot në Itali pasi në Shqipëri akuzohet për "pastrim të produkteve të veprës penale”. Imeraj është arrestuar pas kërkesës së homologëve shqiptarë ndaj edhe pritet ekstradimi i tij nga Italia në vendin tonë, për t'u përballur për drejtësinë.
Juri Imeraj ishte një nga emrat e shpallur në kërkim që në 2022 pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK për inceneratorin e Fierit, por asokohe përfaqësuesi i tij ligjor, Loren Liço pretendonte se klienti nuk ishte në Shqipëri dhe ishte larguar për shkak të një problemi shëndetësor.
“Klienti im ka qene për dy vjet në dispozicion të hetimit. Ai është administrator i një prej kompanive të kontraktuara nga koncensionari. Eshte larguar nga vendi për probleme shëndetësore. Akuzat kunder tij jane një absurditet. Ai do te përballet me drejtësinë. Kontraktimi i tij ka qenë ligjor dhe çdo transaksion financiar është bërë përmes bankës,”- thoshte asokohe avokati.
Njoftimi:
Arrestohet në Itali, për t’u ekstraduar në vendin tonë, një 35-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për pastrim parash. Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Policia e Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe shkëmbimit të menjëhershëm të këtij informacioni, nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policia italiane arrestoi në Padova, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin J. Y., 35 vjeç. Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Vijon bashkëpunimi me Interpol Romën, për të finalizuar ekstradimin e 35-vjeçarit, në Shqipëri./ZËRI