
TIRANË- Rëndohet pozita e Jorgo Goros! Tashmë për ish-kryebashkiakun e Himarës ka një tjetër çështje të hapur sërish për abuzime lidhur me pronat në zonën e Bashkisë që ai dikur drejtonte. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot, ka regjistruar procedimin penal nr. 127, të vitit 2024, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal. Bëhet fjalë për një pronë rreth 4000 metër katrorë, të cilën e ka përfituar kryebashkiaku i përkohshëm, Arqile Bollano. Ndërsa për Goron kërkohet një tjetër masë sigurie "arrest me burg", për Bollanon, SPAK nuk ka ndërmarrë asnjë masë deri më tani.
Por si u denoncua marrja e pronës?
Sipas dosjes hetimore, kallëzimi është bërë fillimisht në Komisariatin e Himarës nga një banor i Himarës, i cili ishte edhe pronari i tokës në bazë të ligjit "7501". Por 9 vite më parë ( në periudhën kohore 2015-2016), Bollano ndërtoi një listë emërore për disa banorë të zonës, të cilët duhet të trajtoheshin me tokë nga bashkia Himarë. Kjo listë u hartua me pretendimin se emrat e shënuar nuk ishin trajtuar me tokë bujqësore në vitin 1991-1992 dhe se tani kjo duhet të "korrigjohej" nga ana e bashkisë Himarë. Edhe pse ishte pjesë e grupit të punës, Arqile Bollano kishte futur në listë edhe emrin e tij duke marrë një sipërfaqe totale prej 4900 m2 në zonën e Himarës.
Pasuria që Bollano i dha vetes iu mbivendos në pothuajse 80 për qind mbi pasurinë e një mësuesi në Himarë, fakt që është provuar nga një akt-ekspertimi topografik të kryer nga Prokuroria e Vlorës. Po ashtu, nga hetimet rezultoi se Bollano nuk duhet të ishte përfitues, pasi ishte "trajtuar" me tokë në vitin 1991, megjithatë kjo nuk e pengoi që të kërkonte sërish dhe Goro ta "ndihmonte" me firmën e tij për t'i marrë pronën bashkëqytetarit.
NJOFTIMI I SPAK:
Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi J. G., në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi A. B. dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar, si dhe pikat 1, 2, 3 të VKM-së me nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, shtetasi A.B. ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi nr….., datë 25.08.2016, një sipërfaqe toke prej 4263 m2. Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi A.B. është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin nr. 7501/1991 “Për Tokën” sipas AMTP nr…….., datë 08.03.1996, me sipërfaqe totale 7700 m2.
Nisur sa më sipër, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim J. G. me detyrë ish-kryetar i Bashkisë Himarë dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 67 datë 03.07.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë shtetas, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Në datën 04.07.2024, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit J.G. Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprës penale./ZËRI