
TIRANË- Në njoftimin e SPAK pas arrestimit të Ilir Beqajt sqarohet se është abuzuar me fondet e Bashkimit Europian, të cilat Beqaj duke qenë pronar de facto i restorantit “Gzona” përpiqej t’i kalonte nëpërmjet faturave fiktive në xhepat e tij. Madje në një rast, për organizimin e një konference për turizmin janë prerë dy fatura, një nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj me fondet e Bashkimit Europian dhe një nga Ministria e Kulturës me fondet e taksapaguesve shqiptarë.
“Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim Gazmend Haxhia dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim A. N”,-thuhet në njoftim.
I vetmi shërbimi i ofruar për eventin nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, vazhdon SPAK, e cila është organizuar nga restorant “Gzona” në një vlerë prej 4.189.000 lekësh.
Pas më shumë se një viti hetimesh, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë sot në pranga me urdhër të SPAK. /ZËRI