
TIRANË- Marios Tralo, 20 vjeç është vënë në prangat e Policisë greke pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasjeje. Tralo kishte tentuar të vriste një bashkëkombas të tij. Mbi të rëndojnë dy akuza, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. 20-vjeçari dyshohej se fshihej në Angli, por u kap në Athinë.
Si ndodhi ngjarja?
Ishte ora 03:30 e mëngjesit të 2 shkurtit kur Marios Tralo qëlloi mbi Renis Fejzollin, i cili ndodhej në një park në rrugën “Sidhirokastro” në Athinë. Ai u qëllua tre herë me pistoletë dhe përfundoi në gjendje të rëndë në spital, por fatmirësisht e kaloi rrezikun për jetën. Shkak për ngjarjen dyshohet se është bërë një borxh ptrej 1000 eurosh që Fejzolli i kishte Tralos.
Në vendin e ngjarjes, Policia gjeti 3 gëzhoja dhe një thikë. Ata e kishin lënë të takoheshin, por takimi nuk shkoi siç duhet. Tralo nuk zbriti nga makina, por hapi xhamin dhe qëlloi mbi 34-vjeçarin. Tashmë do të duhet të përballet me drejtësinë në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij./ZËRI