
LUSHNJE- Policia e Lushnjës ka vënë në pranga Leonard Gjinin, një 32-vjeçar, i cili ishte përgjegjës i punimeve në kapanonin ku ndodhi shpërthimi i pak ditëve më parë. Më urdhër të Prokurorisë së Fierit, i riu është vendosur në pranga pasi akzuohet se ka lejuar kryerjen e punimeve pa respektuar rregulloren e sigurimit teknik. Po ashtu, akuzohet se nuk ka marrë masa për zbatimin e projektit të punimeve që po bënin babë e bir, të cilët humbën jetën tragjikisht në vinçin ku po punonin.
"Me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda,"-shkruhet në njoftimin zyrtar që ka bërë Policia lidhur me rastin.
Por gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë e Fierit, vetë Gjini i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Ai mohon se ka dërguar Roland dhe Elidion Hoxhën në kapanon për të kryer punimet me vinç, ndërsa shton se gjithashtru nuk ka firmosur asnjë nënkontratë për të nisur punimet. Por sqaron se thjesht ka marrë një leje dhe ka pritur që objekti të lirohej dhe më pas ai të niste nga puna.
"Punonjësit që kanë qenë në kapanon, nuk kanë lidhje me kompaninë time. Për ngjarjen e ndodhur nuk kam lidhje me punonjësit dhe nuk e kam idenë ç'punime po kryeheshin. Nuk kam dërguar asnjë punonjës apo të kem bërë asnjë nënkontratë për të kryer punime në këtë objekt. Pas daljes së lejes për fillimin e punimëve kam pritur që objekti të lirohej për fillimin e punimeve,"-mësohet se është shprehur Gjini.
NJOFTIMI I PLOTË:
Lushnjë
Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024. Në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit: L. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda. Si pasojë e shpëthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Shpërthimi ndodhi të premten në një kantier ndërtimi me konstruksion metalik të deputetit të Partisë Socialiste, Bujar Çela, ku shpërtheu një bombol me oksigjen gjatë ngritjes me vinç, duke lënë të vdekur vinçierin dhe djalin e tij. Të plagosur mbetën 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti Çela i cili ndodhej në vendngjarje në momentin e shpërthimit. Por Gjini, nuk është i vetmi që do të gjykohet. Pasi të rikuperohet në spital, ndaj deputetit të PS-së, Bujar Çela do të nisë një proces gjyqësor, do të përballet me 3 akuza. Ai kishte marrë leje për ndërtimet, por vetëm për 1 vit. Megjithatë ato që po zhvilloheshin më 1 mars, ishin të jashtëligjshme dhe rezultuan fatale për Roland dhe Elidion Hoxhën./ZËRI