
LUSHNJE- Edhe pse kanë kaluar 48 orë nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Lushnje, ku si pasojë e një shpërthimi në një magazinë në zonën e ish-pasmasit humbën jetën 2 persona, dhe u plagosën disa të tjerë, policia ende nuk ka referuar materialet në prokurori.
Deri tani, jozyrtarisht mësohet se hetimet janë të fokusuara në tre vepra penale, të cilat janë shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë, shkelje të lejes pasi subjekti ka dalë nga përcaktimet e lejes si dhe shkatërrim prone nga pakujdesia. Ndryshe nga sa u tha fillimisht se shpërthimi ndodhi për shkak të kontaktit të vinçit me telat e tensionit të lartë, dyshimet janë se ngjarjen e një përmase të tillë e shkaktoi rrëzimi në tokë i bombulës së oksigjenit.
Bombola tjetër e paplasur u hoq nga vendi i ngjarjes të shtunën nga ana e njësisë anti-eksploziv, për shkak se një incident tjetër mund të përsëritej. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ku ndodhet ende i shtruar në spitalin e Traumës, nuk është marrë në pyetje deputeti Bujar Çela, i cili është pronari i ndërtesës ku po punohej.
Për shpërthimin që i mori jetën dy personave dhe plagosi 7 të tjerë do të nisë dhe një verifikim i dëmeve të shkaktuara. Nga ana e Bashkisë së Lushnjës është përgatitur një grup ekspertësh, të cilët të hënën do të nisin verifikimin e të gjitha banesave dhe bizneseve të cilat janë dëmtuar nga shpërthimi.
Në spitalin e Traumës vijojnë të ndodhen deputetin Çela dhe i plagosuri tjetër Sokol Lumi. Ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa në spitalin e Lushnjës, ndodhet Elton Korreshi. Ngjarja shokoi mbarë opinionin publik të premten, ku si pasojë e shpërthimit humbën jetën babë e bir, Landi dhe Elidon Hoxha. /ZËRI