
LUSHNJE- Të tronditur nga shpërthimi që la dy të vdekur dhe 7 të plagosur, banorët e shtëpisë ngjitur zonës industriale ku ndodhi tragjedia në Lushnjë, kanë rrëfyer me lot në sy për momentet e tmerrit të cilat ende vërtiten në kujtesën e tyre duke i lënë pa bukë dhe gjumë. Ata e kanë përshkruar shpërthimin si një tërmet, ndërsa thonë se kanë pësuar dëme të shumta materiale. Një tjetër banore e krahason shpërthimin me atë të 15 marsit 2008 në Gërdec.
“U tromaksëm të gjithë, as bukë nuk kemi ngrënë. As gjumi nuk na zë. 30 vjet djali në Greqi, e ka ndërtuar këtë shtëpi me mund edhe me djersë. Mbaroi ndërtesën, ka hyrë në kredi. Këta kam, shteti të na ndihmojë se neve çfarë na ka gjetur nuk di. Bombola plasi si tërmet,”- u shpreh një banore.
“Shpërthimi ishte i fuqishëm si tërmet. Kur dolëm më pas, ishte tym dynjaja,”- tregoi një tjetër.
“Ç'të thotë nëna. Aq jemi trembur. Çunit i është prishur çatia. Nuk lejohet të punosh me bombola gazi. Jemi familjarë, 100 mijë lekë pension nuk na del të hamë buk jo më të shkojmë tek doktori apo të rregullojmë shpijat. Ka qenë tamam si shpërthimi i Gërdecit,"-u shpreh një tjetër banore.
Ndërkohë një tjetër banore e moshuara i kërkoi ndihmë shtetit, duke theksuar se shtëpinë e kanë bërë me para emigracioni dhe kredi, dhe ende kursejnë të ardhura nga pensioni për të paguar detyrimet.
“Ne do të lanim fëmijën e vogël që na lindi nusja. U futën në kuzhinë ta lanin. Unë dhe plaku shkuam në dhomën time që të mbështeteshim sa të lahej fëmija dhe më pas do të shkonim të ngroheshim. Kur ajo i dha një shkundje vumë njëherë si tërmet. Ne Allah Allah dhe dolëm përjashta. Kur dolëm përjashta tymi i zi na mbulojë. Nuk dinim nga të vinim. Nusja e vogël u tremb, u bë dyll e verdhë. E mori ai që punon me çunin dhe e çoi në shtëpi të vetë. Sëmurë ishte dje me gjithë fëmijën e vogël dhe kështu u trembëm të gjithë. S’kemi ngrënë bukë kemi që dje në drekë. Na dridhet trupi as gjumi nuk na zë. 30-vjet çuni në Greqi e ka ndërtuar këtë shtëpi me mund dhe me djersë. Mbaroi ndërtesën ka hyrë në kredi… Çfarë të të thotë nëna. Ne mirë që pensionin,,, ai na thoshte të kursehemi nga një çikë sepse kemi kredi, çfarë të mbanim ne. Këto ka nëna. Shteti të na ndihmojë, ajo bombola na plasi si tërmet. Vumë njeherë dhe u shkoq e gjitha sipër kokës tonë…”– tha e moshuara e banesës për TCH shumë pranë vendit të shpërthimit.
“Isha në Greqi dhe mora haberin me anën e familjes që kishte ndodhur diçka e papritur në familjen time. U detyrova dhe erdha urgjentisht. Shyqyr Zotit kam mirë familjen. Kur erdha këtu pash që dëmet ishin të konsiderueshme. Xhama kudo, hekurat të hedhur sa andej këndej. Mirë që s’kanë qenë njerëzit jashtë që të…”, tha një burrë.
Ngjarja e rëndë la pas një bilanc tragjik, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se shkak është bërë kontakti që vinçi, në të cilën ndodheshin Roland dhe Elidon Hoxha ka prekur me telat e tensionit të lartë, të cilët kanë bërë shkëndijë elektrike me bombolat e oksigjenit që ndodheshin në kavon e vinçit duke shkaktuar dhe shpërthimin. Po ashtu shtatë persona u plagosën, dy prej të cilëve u transportuan në spitalin e Traumës. I plagosur nga shpërthimi mbeti dhe deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe këtë mëngjes raportohet se ndodhet në gjendje të stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën. Dhe të plagosurit e tjerë fatmirësisht e kanë kaluar rrezikun për jetën./ZËRI