TIRANË- Në thuajse çdo grup kriminal që është shpërbërë nga Policia e Shtetit ka pasur një efektiv. Në mos rol aktiv, njeriu i veshur me uniformë, të cilit qytetarët i besojnë sigurinë e jetës, ka ndihmuar të inkriminuarit që tu qëndrojnë sa më larg vendosjes së prangave. Jo më larg se dje u vu në pranga një prej tyre. Bëhet fjalë për kryekomisarin Stiljan Pasho, i cili akuzohet se është i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
ZËRI raportoi ekskluzivisht se 53-vjeçari, një prej efektivëve me hierarkinë më të lartë në drejtorinë e Policisë së Korçës, 3 ditë më parë ka favorizuar një person që të kalonte 26 kg kanabis me makinën e tij drejt Greqisë.
Më konkretisht, Kryekomisari Pasho ka shoqëruar Lorenco Likën për të kaluar mjetin tip "Passat" nga pala shqiptare drejt kufirit grek, duke hipur dhe vetë në makinën ku ishte futur droga. Pasi ka mbërritur në tokën greke, ai ka dalë nga makina dhe është khyer me këmbë në Shqipëri.
Por Pasho nuk është i vetmi.
Cilët janë efektivët që krimi ka tërhequr në rrjetën e tij? Lista pasohet me katër të tjerë, të cilët janë vënë në pranga brenda këtij viti.
Dritan Meta ish-shefi i komisariatit të Kurbinit, u vu në pranga me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit “Flakë në det”, si pjesë e grupit kriminal të trafikantit Gëzim Çela. Metaj kryente rolin e transportuesit të anëtarëve të grupit kriminal. Emri i tij doli pasi SPAK përgjoi anëtarët e grupit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike dhe u zbuluan komunikimet që Meta kishte me të ashtuquajturin "Baroni i Fushë Kuqes", Gëzim Çela dhe 2 persona të tjerë. Me të tre, Meta kishte biseda në celular, e po ashtu i kishte lëvizur me makinën e tij për t'u garantuar siguri. Pasi është sekuestruar, në telefonin e Dritan Metës janë gjetur biseda të hollësishme për transportimin e "baronit", në mënyrë që të mos prangosej nga Policia.
Ardit Hasanbegaj doli në përgjimet e dosjes “Metamorfoza 1”. Hasanbega ka mbajtur postin e shefit të seksionit të krimeve në policinë e Shkodrës dhe akuzohet se ka patur një rol aktiv për përgatitjen e kushteve për kryerjen e një vrasjeje. Më konkretisht, dyshohet se i ka krijuar kushtet Behar Bajrit, një prej emrave më të rëndësishëm të botës së krimit në Shkodër, për atentatin ndaj Dorjan Dhulit dhe Ibrahim Licit. Ky i fundit është edhe armiku i përbetuar i fisit Bajri.
Hasanbegaj gjithashtu akuzohet nga SPAK se jepte informacione të vlefshme për qëllimet e personazheve të krimit si anëtarëve të familjes Bajri në Shkodër apo biznesmenit Gjoka, si dhe ndikonte në devijimin e hetimit të ngjarjeve kriminale, për llogari të personave të mësipërm.
Ndërsa Oltion Bistri, ish-drejtor i Operacionales, emri i të cilit u shfaq në të njëjtën dosje, ka ndihmuar të fshehë provat dhe gjurmët që të çonin tek vrasjet. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme, Bistri rezulton i përfshirë në biseda përmes aplikacionit “SKY EÇ”, me biznesmenin Pëllumb Gjoka që është vënë gjithashtu në pranga, ku mes të tjerash e informon mbi operacionet e policisë për goditjen e lojërave të paligjshme të fatit.
Dedan Gjoni, shef krimesh në komisariatin numër 6 u arrestua në hyrje të stadiumit ‘Air Albania” teksa futej bashkë me Erzen Breçanin, ish-zëvendësdrejtor në Policinë e Tiranës, për të parë përballjen e kuqezinjve me Ishujt Faroe. Gjoni, sipas përgjimeve të dala nga “Metamorfoza 2” akuzohet për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje.
Bisedat e zhvilluara në Sky ECC që shefi i krimeve Dedan Gjoni ka pasur me Ismail Zenelin dhe Bujar Gërmizin, të zbardhura ekskluzivisht nga ZËRI, zbuluan planet që kishin për të vrarë vëllezërit Albert dhe Edmond Nela. Madje, Zeneli ka bërë dhe një vizitë në ambientet e Drejtorise Vendore të Policisë Elbasan në zyrën e Dedan Gjonit dhe ka marrë informacione nga sistemet TIMS dhe E-Gjoba lidhur me vëllezërit Nela.
Ndiqni materialin e përgatitur nga ZËRI: