
TIRANË- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur për Konsultim Publik ndryshimet e reja që priten të miratohen sa i përket ligjit të planifikimit të territorit. Në draftin e dorëzuar në Kuvend, Këshillit Kombëtar të Territorit pritet ti shtohen dhe basenet ujore të vendit, duke bërë që nga KKT, të emërtohet Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, (KKTU).
Në ndihmë të këtij Këshilli do të jetë Sekretariati Teknik të Këshillit Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Ky institucion “organizon mbledhjet e KKTU-së, përgatit dhe administron dokumentacionin që shqyrtohet nga KKTU, në fushën e planifikimit dhe të zhvillimit të territorit, duke drejtuar dhe bashkërenduar procesin me autoritetet e tjera përgjegjëse, në nivel qendror dhe/ose vendor, sipas parimit të shërbimit me një ndalesë, si dhe ndërvepron me insitucionet e tjera shtetërore, në emër dhe për llogari të aplikuesit, gjatë procedurës së shqyrtimit/miratimit/lëshimit të autorizimeve/lejeve dytësore, të cilat janë të domosdoshme, në funksion të miratimit e lejes së ndërtimit“.

Ndërsa Planifikimi Kombëtr i Planifikimit të Territorit do të emërtohet “Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit dhe i Planit Kombëtar të Hapësirës Detare”. Ky plan synon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve të energjisë në det, transportit detar, peshkimit dhe akuakulturës, turizmit, ruajtjen, mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit, duke përfshirë qëndrueshmërinë ndaj ndikimit të ndryshimeve klimatike, promovimin e nxjerrjes së qëndrueshme të lëndëve të para, promovimin dhe sigurimin e aktiviteteve dhe përdorimeve përkatëse detare si dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar.

Një pikë e rëndësishme në draftin e propozuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë ndërtimet pa leje. Sipas draftit. Tashmë ndërtimet pa leje nuk do të prishen, por do të konfiskohen nga shteti dhe do të kthehen në shërbime publike.
Kjo ndodh në rastet kur ndërtimi rezulton pa leje, në masën 100 % të sipërfaqes ndërtimore mbi tokë, ndërtimi pa leje rezulton si shtesë kati dhe si shtesë volumi anësor dhe nëse tejkalon masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi tokë.

Ndërkohë të gjitha të dhënat pritet që të dixhitalizohen në sistemin e-planifikim. Pas miratimit të draftit dhe hyrjes së në fuqi, të gjitha të dhënat që ndodhen në regjistrin Kombëtar të Planifikimit të Territorit do të kalojnë aty, në mënyrë që dhe qytetarët të kenë akses të vazhdueshëm.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare./ZËRI