Aktualitet

Ministri britanik: Ulet 90 % numri i shqiptarëve që ikin me gomone drejt Anglisë

Ministri i Brendshëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly deklaroi se është ulur ndjeshëm numri i gomoneve që shkojnë drejt Britanisë.

D.XH
Ministri britanik: Ulet 90 % numri i shqiptarëve që ikin me gomone
Emigrantet me gomone

LONDËR – Ministri i Brendshëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly, ka folur për emigracionin e paligjshëm në Britani, gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla.

Cleverly dhe Balla ​kanë rënë dakord që të punojnë së bashku nga afër, për një sërë çështjesh, që shqetësojnë të dyja vendet. Në bisedat e tyre, u fol më së shumti për emigracionin e paligjshëm dhe luftimin e krimit të organizuar.

“Mbërritjet e anijeve të vogla nga Shqipëria janë ulur me 90% në 2023. Sot Sekretari i Brendshëm James Cleverly dhe ministri i Brendshëm shqiptar Taulant Balla ranë dakord të punojnë edhe më afër në prioritetet e përbashkëta të kombeve tona rreth krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm”, thuhet në reagimin e UK Home Office.

Britania e Madhe është përfshirë në një debat të madh sa i përket emigrimit ilegal. Autoritetet britanike janë vënë nën presion, për të ashpërsuar masat për migrantët e paligjshëm.

Rishi Sunak: Nuk heq dorë nga plani i ‘Ruandës’

Kreu i qeverisë britanike Rishi Sunak ka premtuar se nuk do të lejojë gjykatat e huaja të ndalojnë Britaninë të dërgojë azilkërkues në Ruandë, edhe pse një grup deputetësh konservatorë të qendrës i kërkuan atij që të mos braktisë angazhimet ndërkombëtare të Britanisë për të drejtat e njeriut. Kryeministri tha të premten se durimi i tij ishte sosur nga vonesat në planin e Ruandës, i cili u shpall i paligjshëm sipas gjykatës britanike.

Ndërsa deputetët konservatorë vazhduan të grindeshin publikisht nëse Britania e Madhe duhet të anulonte Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut, kryeministri tha se nuk do të lejonte që plani të ndalohej nga gjyqtarët ndërkombëtarë. Duke folur me gazetarët në samitin e Klimës në Dubai, Sunak tha: “Nuk duhet të ketë më pengesa të brendshme për ne, për të vendosur këtë program. Por e kam pasur gjithashtu të qartë se nuk do të lejoj një gjykatë të huaj të na bllokojë nga nisja e fluturimeve. Durimi im është sosur, durimi i popullit britanik është sosur”.

Konservatorët e vijës së ashpër, duke përfshirë ish-sekretaren e Brendshme Suella Braverman, kanë ushtruar presion të madh mbi kryeministrin për të anuluar apo edhe braktisur angazhimet e Britanisë ndaj KEDNJ-së dhe konventës së OKB-së për refugjatët, në përpjekje për të nisur fluturimet për në Ruanda.

Një grup tjetër i të moderuarve kanë përmendur rëndësinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar. Më shumë se 20 deputetë konservatorë nga grupi centrist One Nation i kanë shkruar një letër kryeministrit duke e paralajmëruar atë të mos heqë dorë nga detyrimet ndërkombëtare të Britanisë.  Sunak është ende duke punuar mbi legjislacionin e brendshëm dhe një marrëveshje të re me Ruandën dhe shpreson se do të trajtojë shqetësimet e ngritura nga gjykata supreme muajin e kaluar. Gjyqtarët paralajmëruan se plani ashtu siç është, rrezikon që të kthejë njerëzit në vendet e tyre të origjinës, edhe nëse kërkesat e tyre për azil janë të suksesshme.

Braverman ka sugjeruar se një marrëveshje të re me Ruandën mund të lejojë Mbretërinë e Bashkuar të dërgojë vëzhgues në Ruandë, për të garantuar që azilkërkuesit të mos keqtrajtohen.  Sunak tha të premten se një traktat i ri me Ruandën dhe legjislacioni i ri vendas ishin duke u bërë gati. Sipas kryeministrit britanik, çështja e adresimit të migrantëve është jetike. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB