
TIRANË – GJKKO ka vendosur që të përjashtojë avokatin Detar Hysi, si mbrojtës ligjor i Laert Haxhiut. Shkak është bërë prokura e babait të Laert Haxhiut, që kishte sjellë në gjykatë, ku revokonte tagrin e përfaqësimit të avokatit Hysi. Dy avokatët e caktuar kryesisht nga gjykata, Elvis Gorishti dhe Artan Simoni kanë kërkuar kohë që të njihen me detajet e dosjes.
Gjykata nga ana e saj deklaroi se kjo është hera e fundit, që atyre iu jepet kohë, që të njihen me aktet e dosjes. Seanca është shtyrë për më datë 18 dhjetor, ora 11:00. Sipas gjykatës, seancat për Haxhiun do të mbahen do të hënë në orën 11:00.
SPAK e akuzon Haxhiun për masakrën e Lushnjës, e ndodhur në shtator 2017, ku kanë humbur jetën shtetasit Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Sipas SPAK, në shënjestër të atentatit ka qenë shtetasi Xhulio Shkurti, nip i Aldo Bares. Shkurti shpëtoi nga plumbat, pasi arriti të ngrihet shpejt nga tavolina, ndërsa miqtë e tij humbën jetën. Laert Haxhiu u arrestua në Selanik të Greqisë dhe është në pritje të vendimit të gjykatës greke, nëse do të ekstradohet në Shqipëri. Disa kohë më parë, Prokuroria e Elbasanit ka firmosur urdhër-arrest për Laert Haxhiun, duke e akuzuar për 4 vrasje./Zëri/