Aktualitet

Vrasja e Jonada Avdisë, pas 7 seancash, Gjykata e Vlorës veçon dosjen për Arjan Tasen

Një vit më parë në plazhin e Potamit të Himarës, më 2 gusht 2022, 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën tragjikisht teksa po lahej në bregun e detit, pasi u godit nga një gomone

E.K
Vrasja e Jonada Avdisë, pas 7 seancash, Gjykata e Vlorës veçon
Arjan Tase dhe Jonada Avdia

VLORË- Gjykata e Vlorës ka marrë një vendim të pjesshëm gjatë ditës së sotme, për vrasjen e vogëlushes Jonada Avdias, nga një skaf në zonën e plazhit të Potamit në Himarë. Pas shumë seancave që janë shtyrë dhe zvarritur, Gjykata ka vendosur që Arjan Tase, ish-punonjësi i policisë që shkaktoi tragjedinë të gjykohet veçmas nga 8 punonjësit e Policisë së Himarës të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

I pranishëm në seancën gjyqësore ishte gjyshi i vogëlushes Ismet Avdia, i cili ka kërkuar që drejtësia të bëjë punën e saj, dhe ka hedhur dyshime që zvarritja e çështjes është e qëllimshme që të arrestuarit të mos marrim dënimin maksimal.

"Unë jam Ismet Avdiaj, gjyshi i Jonadës. Është hera e shtatë, pas këtij kalvarit gjatë arritëm të zhvillonim një seancë gjyqësore. Ndarja kërkohet për të lehtësuar sa më shumë palët të cilët në një koordinim së bashku, se asgjë nuk ka ndodhur rastësisht… ata që akuzohen janë punonjës shteti.

Natyrisht që avokatët e tyre kërkojnë masa lehtësuese, e shkon aty ku këta njerëz të shtetit që merrnin rrogë për të siguruar jetën e qytetarëve. Të gjithë ata që ndodhen përreth tij janë përgjegjës ligjor. Unë kërkoj mbështetjen e mediave, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për mbesën time Jonadën, që ngjarje të tilla të mos ndodhen më”, u shpreh gjyshi i vogëlushes që humbi jetën nga ngjarja tragjike.

I pranishëm ishte dhe avokati Adriatik Lapaj, i cili ka kërkuar sensibilizim për ngjarjen e rëndë. Sot ishte seanca e shtatë paraprake pas shtyrjeve për arsye të ndryshme ndërsa tashmë gjykimi i palëve do të vijojë i ndarë.

Një vit më parë në plazhin e Potamit të Himarës, më 2 gusht 2022, 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën tragjikisht teksa po lahej në bregun e detit, pasi u godit nga një gomone, e cila në kundërshtim me rregullat, po lundronte brenda kordonit të sigurisë. Tragjedia u shkaktua nga polici Arjan Tase, i cili po lundronte në mes të pushuesve teksa po laheshin dhe për shkak të një manovre të gabuar i mori jetën të miturës. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB