
TIRANË- Këtë të enjte ZËRI udhëtoi drejt Durrësit për të takuar Vilsonin, babanë e dy fëmijëve që kishte afro dy muaj pa marrë rrogën pranë fasonerisë “8L”, ku kishte punuar si mekanik i makinave qepëse. Kompania i detyrohej 1 milion e 500 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që mbante mbi supe dhe një akuzë për vjedhje, për të cilën thotë se nuk është e vërtetë. Këtë e pohon dhe vetëm pronarja e fasonerisë gjatë bisedës që ZËRI zhvilloi me të.
Biseda:
Edon Kuqi: Për çfarë e keni kërkuar ndihmën e ZËRI-t sot Vilson?
Vilsoni: Unë kam punuar tek kjo fabrika, 8 L që me 2 shkurt dhe nuk ka bërë asnjë lloj pagese. Kam shkrujtur me ekonomistin dhe tha, më ka thënë Xheni do ti bëjmë këtë javë do ti bëjmë javës tjetër. Kaluan 2 muaj pa paguar asnjë lek. I shkruaj Xhenit, më thanë hajde pak tek puna, punuam një javë dhe mua më nxorri justifikim për inventarin dhe më tha ik nga puna.
Edon Kuqi: Kur fillove punë me 2 shkurt, me sa mars e merrnit pagesën?
Vilsoni: Me 10. Maksimumi me 20. Kam një muaj e gjysmë pa marrë pagesën.
Edon Kuqi: Ke biseduar me zonjën Xheni?
Vilsoni: Po, bisedova dhe përpara dhe më tha s’kam mbaruar akoma inventarin. Kur te mbaroj inventarin do të bëj pagesën.
Edon Kuqi: Kishe firmosur kontratë pune kur erdhe?
Vilsoni: Kontratë pune jo, por isha i siguruar, i kam parë dhe tek e-Albania.
Edon Kuqi: Në total sa është pagesa që të detyrohet 8L.
Vilsoni: 1 milion e 500 mijë lekë të vjetra.
Edon Kuqi: Me sa Prill e ke lënë punën?
Vilsoni: 12-15 kështu ka qenë data. Biseda e fundit ka qenë, për inventarin, më tha hajde pak këtu, vidatori nuk është i imi, i thashë unë, vidatori im është kinez, nga ato 60 mije lëkëshit, aq sa kemi mundësi. Ky është bosh, unë kam këtu tjetrin tek inventarin. Mora kodin dhe pashë në internet dhe më doli përmistop ajri. Nuk kishte lidhje me vidatorin që thoshte ajo. Ajo më tha mua më kanë marrë pjesë kur kam filluar punë. Tha më mungojnë të gjitha pjesë ndërsa tani thotë mi ke marrë pjesët. Unë kam 5-6 vite që punoj në fasoneri, kam ikur vetëm për arsye rroge, nuk kam pasur asnjë problem.
Edon Kuqi: Ti thua që kjo është një akuzë e pabazuar vetëm që mos të japë pagesën?
Vilsoni: Mua më ka prishur dhe punë të tjera se kur e lashë këtu nuk filloja dot në vend tjetër sepse e kishte përhap si lajm se Vilsoni është hajdut. Tnai jam i detyruar të punoj në ndërtim. Jam baba i dy fëmijëve.
Edon Kuqi: Ditën që të thirri dhe të tha për inventarin, çfarë latë në fund?
Vilsoni: Thashë unë pagesën kur do e bëjm, tha do shohim këto ditë. Më vonë ka nxjerrë inventarin që mungojnë pjesët. Kam edhe bisedat që kam folur dhe me ekonomistin kam ardhur këtu, më morën në telefon dhe më thanë është këtu, e dija që është këtu se ka qenë jashtë duke pirë cigare, ka ikur është fshehur.
Edon Kuqi: Çfarë kërkon sot?
Vilsoni: Unë kërkoj lekët e mia. Nuk është një shumë e vopël. Është djersa ime. Kam punuar për këtë punë. Atij mund ti duken 100 mijë lek mua më duken 10 milionë lekë, është mundi im se kam punuar nga tetë orë përditë. Xheni më ka thënë vetëm kaq, kur të mbarojë inventari do shohim sa do dalin mangët e do të them.
ZËRI u fut brenda ambienteve të fasonerisë, por nuk e gjeti aty, pronaren e saj, zonjën Xheni, me të cilën arriti të lidhej përmes telefonit. Gjatë bisedës ajo konfirmoi shumën që i detyrohej Vilsonit, ndërsa u zotua që ta likuidoj atë sa më shpejt.
Pjesa e telefonatës:
Edon Kuqi: Alo, mirëmëngjesi. Si jeni zonja Xheni? Jam Edon Kuqi, gazetar nga ZËRI. Jam pranë fasonerisë 8L, e cila është në pronësi tuaj, me Vilsonin, një djalë që ka punuar tek ju.
Pronarja e fasonerisë: E kuptova situatën. Nuk është e nevojshme të arrijmë deri në këto hapa. Momentalisht nuk kam asnjë fond që ta likuidoj Vilsonin. Po pres pagesa nga klientët se jam e lidhur zinxhirë që unë të likuidoj direkt Vilsonin.
Edon Kuqi: Pra Vilsoni do ta marrë atë 1 milion e 500 mijë lekshin që ka.
Pronarja e fasonerisë: Absolutisht do ta marri.
Edon Kuqi: Një shqetësim tjetër që ka Vilsoni, përpos faktit që nuk ka marrë lekët është se e keni akuzuar për vjedhje. Thotë kam mbi supe një barrë që nuk është e imja.
Pronarja e fasonerisë: Nuk kam akuzuar, nuk mund ta akuzoj pa fakte Vilsonin. I kam thënë është një mendim i imi.
Edon Kuqi: Vilsoni ka treguar një bisedë që ka pasur me ju e keni vënë në dijeni se mungojnë disa vegla pune tek ajo valixhja.
Pronarja e fasonerisë: Nuk është e vërtetë në këtë aspekt. I kam thënë thjesht Vilson valixhen tënde personale mos e fut në ambientet e punës sepse i ke të gjitha mjetet e duhura që të duhen për punen. Vilsoni e futi valixhen e vet personale. Por gjithsesi unë e fshi komplet si fraksion. Nuk kam çfarë ti bëj Vilsonit. Çdo gjë është përgjegjësi e rinisë së tij. Në ditën që unë, se dhe Vilsoni ka bërë kërcënim ndaj meje por nuk ka rëndësi, nuk ka asnjë problem. Unë tani po e mbyll bisedën dhe do them se Vilsoni do e marrë ato që i takon të marri. Ma kalo pak Vilsonin në telefon të lutem që unë ti them pikërisht këto fjalë që të thashë ty. (Dëgjo pak Vilson se tani është turp, unë ta thashë dhe atë dite, pa merak momentin e parë që më vjen pagesa nga klienti do likuidohesh. Kjo është një fjalë e dhënë nga ana ime.
Edon Kuqi: Ju e njihni dhe më mirë se unë se keni punuar me të, është babai i dy fëmijëve dhe ka një problem shumë të madh, që përpos lekëve, do ta them me gjuhë popullore është kjo damka e vjedhjes që e “përndjek” nga pas. Dhe njëherë të fundit, nuk është e vërtetë?
Pronarja e fasonerisë: Nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë. Atëherë unë numrin tënd e kam, në momentin e parë që do ndodhi pagesa, unë do të dërgoj një mesazh ty të parit që ka ndodhur pagesa dhe Vilsoni do ta konfirmojë më tutje.
Edon Kuqi: Jane dy gjëra të rëndësishme që dolën nga kjo bisedë që patëm me zonjën Xheni: E para që Vilsoni do të marrë pagesën prej 1 milion e 500 mijë lekësh të vjetra që 8 L i detyrohet, por mbi të gjitha ajo që është mbase më e rëndësishme se pagesa, akuza për vjedhje, nuk është e vërtetë.
Vilsoni: Falenderoj ZËRI-n dhe ju si gazetar./ZËRI