
TIRANË- Mjekësia Ligjore do t’i nënshtrohet një ri-strukturimi të funsksionimit të saj, organikës dhe strukturës. Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim publik projektligjin për “Funsksionimin dhe Organizimin e Mjekësisë Ligjore”. Sipas Ministrisë, ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave për mirëfunksionimin e mjekësisë ligjore në Republikën e Shqipërisë, si dhe unifikimin e procedurave për kryerjen e ekspertimeve në fushën e mjekësisë ligjore, në kuadër të mbështetjes së organeve të drejtësisë, institucioneve publike dhe subjekteve private për zgjidhjen e çështjeve hetimore dhe gjyqësore.
Kështu në sajë të ndryshimeve që pritet të implementohen në funskionimin e IML-së, kushdo që ka rezerva për një ekspertizë, mund të kërkojë kryerjen e saj privatisht, kundrejt pagesës së një tarife. Në këtë mënyrë u jepet mundësi palëve që nuk bien dakort me ekspertimin e parë, të kërkojnë një të dytë.
“Eksperti kryen ekspertim edhe me kërkesë të palëve private jashtë një procesi hetimor apo gjyqësor. Ekspertimet ligjore dhe ekzaminimet e kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kryhen kundrejt tarifave përkatëse. Tarifat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit dhe ministrit përgjegjës për financat”, thuhet në projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndryshimet e parashikuara nga Ministria e Drejtësisë është shtuar dhe detyra e zevendësdrejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky i fundit drejton punën sipas fushave, organizimit dhe ndarjes së përgjithshme të punës të bërë nga drejtori dhe detyrat e caktuara prej tij. Zëvendësdrejtori emërohet nga me urdher të ministrit, me propozim të drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Kushtet që duhet të plotësojë:
a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) të ketë përfunduar programin e ciklit të dytë të studimeve universitare për mjekësi, farmaci, kimi ose biologji, me diplomë “Master i shkencave” ose “Master profesional”, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike apo të barasvlershme me to, ose të ketë përfunduar studimet universitare në këto fusha jashtë vendit, të njohur dhe njësuar sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë;
c) të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë në profesion;
ç) të mos jetë shkarkuar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
d) të plotësojë kriteret për të mos iu nënshtruar ndalimeve për t’u emëruar në një funksion publik sipas legjislacionit në fuqi për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.
dh) të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit në kuptimin e legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë;
e) të mos jetë dënuar me vendim penal të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje.
Po ashtu, pritet që organikës ti shtohet dhe Këshilli Shkencor, i cili kryen veprimtari kërkimore-shkencore bazë ose të zbatuar, studime, projekte për zhvillim, si dhe veprimtari të tjera krijuese e hulumtuese në fushën e mjekësisë ligjore, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e rritjes së cilësisë së ekspertimeve që ofron Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Në projektligjin e MD, janë hartuar dhe pikat që përfshijnë marrjen në punë të ekspertëve ligjor, mbrojtjen e tyre në rast se u kërcënohet jeta apo familja, konfidencialiteti i hetimeve si dhe shkarkimi i tyre nga puna./Zëri.ai