ELBASAN- Elbasani feston “Ditën e Verës”, ku shumë njerëz kanë zgjedhur që ta kalojnë festën në qytetin e traditës. Mbrëmjen e sotme është organizuar një koncert festiv, ku si për shkak të kësaj janë shkaktuar edhe radhë kilometrike.
Në autostradën Tiranë–Elbasan një trafik kilometrik është shkaktuar. Radha e automjeteve të “paralizuara” ka nisur nga dalja e tunelit të Krrabës deri në zonën e Bradasheshit, duke vështirësuar kështu ndjeshëm qarkullimin e tyre. Drejtuesit e automjeteve bëjnë të ditur se lëvizja në disa segmente është shumë e ngadaltë dhe pothuajse e pamundur.
Ndërkohë, Policia e Elbasanit ka marrë masa me qëllim garantimin e mbarëvajtjeve të aktiviteteve të organizuara në këtë qytet. Bëhet me dije se kufizimi i qarkullimit ka nisur sot dhe do të vijojë edhe nesër. Për 48 orë, do të bllokohet segmenti rrugor nga “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”. Gjatë këtyre ditëve ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, ndërkaq, shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë të pranishme për orientimin dhe devijimin e trafikut.
Për të shmangur trafikun dhe për të lehtësuar qarkullimin, mjetet do të orientohen drejt hapësirave të përcaktuara të parkimit, sipas drejtimeve nga vijnë në qytet. Konkretisht:
mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Bakallit), do të parkohen te Parku i Mallrave;
mjetet që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut), do të parkohen te Shkolla e Formimit Profesional dhe te parkimi i ri pranë varrezave publike;
mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve), do të parkohen te shkolla profesionale “Sali Ceka”, në afërsi të Doganës, si dhe në parkimin pranë stacionit të trenit.
Autobusët e linjës “Tiranë – Elbasan” do të stacionohen pranë Doganës, afër shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës “Elbasan – Cërrik” do të stacionohen tek ish-ofiçina, në rrugën “Ura”, pranë tregut industrial. /ZËRI