SHKODËR- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se janë zhdukur 130 tonë miser të subjektit “MODI SHPK” që u importuan nga Serbia. Fillimisht, Drejtoria Rajonale kishte vendosur bllokimin e mallrave deri në përfundimin e analizave laboratorike, por më pas subjekti dyshohet se ka shkelur sërish ligjin duke manipuluar produktet e bllokuara. Edhe pse subjekti nuk ka të drejtë të heqë shiriti e bllokimit dhe të lëvizë mallin dyshohet se i gjithë produkti i kontaminuar është hedhur në treg, duke rrezikuar rënde shëndetin e qytetarëve.
Mësohet se pas bllokimit 130 tonët e misrit janë “zhdukur” nga magazinat e firmës.
Për tre muaj, në shtatë ngarkesa të ndara, misri u bllokua fillimisht nga AKU për prezencë të nivelit të rrezikshëm të aflatoksinës, një myk toksik që mund të dëmtojë shëndetin e njerëzve dhe kafshëve. bPërfaqësuesi i subjektit tha se misri ishte përdorur për ushqimin e zogjve në fermën e tij, por nuk paraqiti dokumente që të tregonin se ku kishte përfunduar sasia dhe nuk kishte sistem gjurmueshmërie.
Kujtojmë se bllokim të ngarkesave me misër të ardhur nga Serbia janë bërë në Shkodër dhe Elbasan, me qëllim kryerjen e analizave laboratorike. Ndërkohë, autoritetet kanë bllokuar edhe një fermë në fshatin Trush, pasi nga sistemi i gjurmueshmërisë ka rezultuar se ajo furnizohej me misër blegtoral nga subjekti i ndaluar në doganë./ZËRI
