
TIRANË- Kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Leka Bungo, është përplasur këtë të hënë me kreun e RTSH-së, Alfred Peza, gjatë raportimit të tyre në Komisionin e Medias. Gjatë fjalës së tij, Bungo tha se një problem serioz në RTSH, është mungesa e transparencës dhe pushtetit të koncentruar në duart e Drejtorit të Përgjithshëm, Alfred Peza. Bungo solli dhe një rast konkret, ku sipas tij, Peza ka kaluar kompetencat e tij dhe ka shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm Teknik, ndërkohë që ky i fundit mund të shkarkohej vetëm me vendim të KD-së. Ndërsa shtoi se me ardhjen e Pezës, është sjellë dhe një frymë e tensionuar në RTSH, me largime nga puna që kanë rënduar psikologjikisht punonjësit. Probleme sipas tij, ka pasur dhe në emërimin e 5 drejtuesve kryesorë të RTSH-së, për të cilët Peza ka patur vetëm një kandidaturë dhe ata kanë nisur punën dhe pse nuk janë votuar në Këshillin Drejtues.
Leka Bungo: Një gjë është serioze, është një problem që nuk është trajtuar në raport dhe nuk nuk jam dakord. Tek ne një nga problemet kyçe është problemi i mungesës së tranparencës, Këshill Drejtues-Administratë. Unë e kam lexuar në Këshillin Drejtues vendimin që është dhe me ngjyra humoristike që Drejtoria e Përgjithshme është e detyruar që të japë informacion Këshillit Drejtues për çdo informacion që kërkon në lidhje me gjithë aktivitetin e institucionit. Nga Drejtoria është respektuar vetëm një qëndrim, kërkohet që të gjitha përgjegjësitë të mbeten në Drejtorinë e Përgjithshme dhe është ajo e vetmja që menaxhon përgjigjet, pra ne si Këshill Drejtues nuk kemi të drejtë të pyesim Drejtorinë e Informacionit për një problem sepse duhet të ia kalojmë këtë kërkesë Drejtorit të Përgjithshëm. Ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë se çfarë bën Drejtoria e Auditit, që varet nga Drejtori i Përgjithshëm, çfarë shpresoni ju që të kritikojë drejtorin?! Ne kemi kërkuar nga ju për të bërë disa ndryshime të vogla në ligj që duken të parëndësishme por që kanë një vlerë në transparencë. Unë jam partizan për ato arritje që janë bërë në television, por nga ana tjetër kam shumë vërenjte për probleme serioze që janë të diskutueshme. Në RTSH është krijuar një erie gri nga ana psikologjike tëk punonjësit pas pushimeve, lëvizjeve dhe largimeve të shumta, largimet e shumta, emërimet e shumta janë ndryshe nga çdo herë tjetër, kjo ka krijuar një shok psikologjik. Unë e vë re tek punonjësit. Në zyrë kam shumë ankesa dhe e ndjej dhe nga marrëdhëniet me krijuesit. Bashkë me komisonet e krijuara shpesh për të paralajmëruar për pushime nga puna, vërenjte që janë thujase të përjavshme, këto krijojnë një erie gri nga ana psikologjike tek punonjësit, krijuesit. Po ju sjell një shembull, është pushur nga puna Drejtori i Përgjithshëm Teknik, që nuk është në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm. Ai ishte emëruar nga Këshilli Drejtues, si mund ta pushojë Drejtori i Përgjithshëm? Janë 5 drejtues kryesorë, këta kanë 1 vit që kanë hyrë në zyrat e drejtorëve ndërkohë që nuk janë emëruar. Ndërkohë që ligji thotë se këto emërohen nga Këshilli Drejtues. Kjo ka ndodhur pasi gjatë këtij viti i është kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm që të sillen nga dy kandidatura për këtë post. Drejtori i Përgjithshëm shpesh ngul këmbë në autoritetin që i jep karrigia e tij dhe vendos për gjëra që nuk duhet të vendosë. Pas më shumë se një viti kanë ardhur në Këshillin Drejtues dy kandidatura, para tre javësh./ZËRI