
VLORË- Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 247 mijë metra katrorë prona në Himarë, prona të regjistruara në emër dy personave, deri më tani të identifikuar si Jani Joshi dhe Andon Joshi. Të dy janë nën hetim për veprat penale "falsifikim i dokumenteve", vepër që e kanë kryer më shumë se 1 herë, e po ashtu edhe për "pastrim të produkteve të veprës penale". Në kuadër të hetimit, i cilit ka nisur që në vitin 2021, Prokuroria e Vlorës ka dalë në përfundimin se prona me vlerë 35 milionë euro është përfituar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.
Kështu, pas gjetjeve, Gjykata vendosi sekuestro preventive të 30 pronave në Zonën Kadastrale "1592" në Himarë.
NJOFTIMI I PLOTË I PROKURORISË:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë sekuestroi 30 pasuri në Himarë të regjistruara në emër të shtetasve J.J. dhe K.J. nën hetim për veprat penale ‘Falsifikimi i Dokumenteve’ e kryer më shumë se një herë dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’. Në kuadër të procedimit penal nr.51 të vitit 2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, konstatoi gjatë hetimeve, se pronat, në total 247.000 metra katrorë në Himarë, me një vlerë rreth 35 milionë euro, janë përfituar nga personat e mësipërm nëpërmjet dokumente të falsifikuara. Gjatë hetimeve, Prokuroria arriti të provojë se dokumenti kryesor që ka shërbyer për regjistrimin dhe përvetësimin e këtyre pronave në Gjykatën e Apelit Vlorë, ka rezultuar i falsifikuar. Për rrjedhojë, me kërkesë së prokurorisë, gjykata vendosi sekuestro preventive të 30 pronave në Zonën Kadastrale 1592 në Himarë./ZËRI