Aktualitet

Ndryshon akuza/ Apeli i GJKKO dënon përfundimisht me 3 vite burg Safet Gjicin

Pas rekursit të SPAK për ndryshim të akuzës, Gjici dënohet me vendim të formës së prerë tashmë jo për shpërdorim detyre por për korrupsion pasiv.

k.m.
Ndryshon akuza/ Apeli i GJKKO dënon përfundimisht me 3 vite burg Safet
Safet Gjici

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit prish vendimin e shkallës së parë për Safet Gjicin, duke e dënuar përfundimisht me 4 vite e 6 muaj burg. Kohë kjo, që me gjykimin e shkurtuar shkon në 3 vite heqje lirie. Pas rekursit të SPAK për ndryshim të akuzës, Gjici dënohet me vendim të formës së prerë tashmë jo për shpërdorim detyre por për korrupsion pasiv. Ky ndryshim akuze i ka shtuar dënimin Gjicit, i cili nga shkalla e parë u dënua me 2 vjet burg. Por tashmë me akuzën e re, koha e tij pas qelisë së burgut do të shtohet me 1 vit. 

Por edhe për Alma Kaçin u ndryshua vepra penale. Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ajo u dënua për prostitucion, ndërsa Apelit e ka shpallur fajtore për korrupsion aktiv, duke e dënuar me 1 vit e 6 muaj burg. Por edhe Kaçi, njëjtë si Gjici përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimit i zbritet 1/3 e kohës së dënimit, duke e konvertuar kohën në burg për të në vetëm 1 vit. 

Asnjëri prej tyre nuk mori pjesë në proces, teksa ish-kryebashkiaku i Kukësit prej rreth dy muajsh ndodhet në spital, në gjendje jo të mirë shëndetësore, por detaje të tjera nuk janë bërë me dije.

Alma Kaçi u shfaq në video-skandalin e ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici, tashmë pas hekurave, duke kryer marrëdhënie intime në zyrën e këtij të fundit, pamje të cilat bënë xhiron e rrjetet në vend. Regjistrimi ishte kryer nga ajo me anë të një kamere të fshehtë të cilën kishte arritur ta fuste brenda institucionit të bashkisë dhe në zyrën e Gjicit dhe pse ky i fundit ishte mjaft i kujdesshëm. Kaçi u fut në zyrën e Gjicit me një kamer të fshehtë me pretendimin për të përfituar një tender për sterilizimin e qenëve të rrugës por synimi sipas saj ishte demaskimi i figurës së Safet Gjicit. Publikimi i videos nuk i kushtoi Gjicit vetëm lënien e mandatit por dhe burgun./ZËRI

Poll

MOS HUMB