
TIRANË- Siguria ushqimore është kthyer në një alarm në vendin tonë, dhe pavarësisht dhjetra denoncimeve që bëhen nga mediat dhe nga qytetarët, AKU dhe institucionet e tjera përgjegjëse vazhdojnë që të mbyllin sytë përballë cënimit të jetës.
Së fundi, një qytetare ka denoncuar në redaksinë e ZËRI-t, një produkt që ka blerë në një prej pikave të “Big Market” në zonën e kombinatit në Tiranë. Bëhet fjalë për një bukë, e cila përdoret për tost, e kompanisë “Diamond”, e cila siç shihet dhe në fotot e mëposhtme është e mykyr dhe e pakonsumueshme.
Qytetarja tregon se e kishte marrë bukën për t’iu përgatitur mëngjesin fëmijëve, por është përballur me cilësinë skandaloze të saj, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi. Produkti ka qenë brenda afatit të skadencës, megjithatë jashtë çdo kushti të mundshëm për t’u konsumuar.
Pyetja që lind natyrshëm është, a mbahen këto produkte brenda kushteve të duhura të tregtimit, a ka një kontroll mes kompanive, në këtë rast ‘Diamond’ se si ruhen dhe tregtohen prodhimet e tyre në ambientet e Big Market. Po ky i fundit a duhet të mbajë përgjegjësi për dhjetra rastet e denoncuara në media, nga ana e qytetarëve?
E nëse shteti do të vazhdojë që ta lëjë përgjegjësinë në dorën e bizneseve që kanë qëllim vetëm fitimin, kush do t’i mbrojë qytetarët shqiptarë?! /ZËRI