
TIRANË- Vijon skandali me miellin ‘’Diamond’’. Prej katër ditësh qytetarët dhe mediat denoncojnë cilësinë e këtij produkti por autoritetet ligjzbatuese, në këtë rast Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon të mos bëjë punën e saj duke “kyçur” gojën. Rasti më i fundit vjen nga Shkodra, ku një qytetare përmes një video tregon se bashkë me miellin “Diamond’ në paketim vijnë dhe mizat "dhuratë’’.
Ajo shprehet e shqetësuar për situatën dhe apelon për kontrolle nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili deri më tani ka vendosur të heshtë.
Qytetarja: Përshëendetje, ju lutem publikojeni këtë video. Që njerëzit ta kuptojnë se çfarë po konsumojnë. Sot me datën 28 nëntor, hapa një pako të miellit ‘’Diamond’’ dhe më doli gjithë insekte. I bëj thirrje AKU-së që të marrë masat për kontrollin e produkteve ushqimore si dhe prodhuesve që të jenë më të ndërgjegjshëm për produktet që hedhin në shitje.
Zëri e ka ndjekur me kujdes dhe korrektësi këtë çështje, duke u munduar të kontaktojë me AKU-në, në çdo mënyrë të mundshme komunikimi, por s’ka marrë përgjigje. Ndërkohë pavarësisht se vetë AKU sekuestroi 52 ton miell në fabrikën e Diamond në Fier, ky produkt shitet lehtësisht në supermaketet kryesore të Tiranës. Këtë e konstaton dhe një vështrim i Zërit këtë të martë./Zëri