Aktualitet

Vrasja e dyfishtë në Roskovec, vëllezërit Kurtaj përcillen për në banesën e fundit. Autori ndante të njëjtin ‘fat’ me njërin prej tyre

Banorët shprehen të shokuar nga ngjarja, ndërsa thonë se autori dhe dy viktimat ishin shokë dhe kalonin kohë mes tyre

E.K
Vrasja e dyfishtë në Roskovec, vëllezërit Kurtaj
Viktimat dhe autori

ROSKOVEC- Do t’i jepet sot lamtumira e fundit dy vëllezërve Lavdimir dhe Gramos Kurtaj, që u ekzekutuan ditën e djeshme me breshëri plumbash nga bashkëfshatari i tyre, Altin Kukaj. Ky i fundit u vetëdorëzua në polici pas krimit, ndërkohë që policia shoqëroi më pas dhe djalin e tij, që dyshohet se ishte konfliktuar fillimisht me viktimat.

Krimi i rëndë ndodhi mesditën e djeshme, ku pas një sherri që ka nisur fillimisht me djalin e autorit, çoi në vrasjen e dy vëllezërve, me të cilët Kukaj kishte marrëdhënie shoqërore, e madje pinte kafe e shoqërohej pothuajse çdo ditë.

Bashkëfshatarët e tyre u shprehën të tronditur pas krimit, ndërsa thoë se kurrë nuk e kishin menduar që 50-vjeçari do të mund të kryente një krim të tillë në drejtim të vëllezërve Kurtaj.

Nuik dihet ende se cila ka qenë konkretisht zanafilla e konfliktit, që përfundoi me vrasjen e dy vëllezërve, ndërsa pritet dëshmia e Kukajt për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen e rëndë.

Dy vëllezërit, njëri 52 vjeç dhe tjetri 46 vjeç, kanë qenë duke pirë kafen e drekës në lokalin në pronësi të tyre, kur në derë ka mbërritur Altini i armatosur, dhe ka qëlluar në drejtim të tyre, për t’u vetëdorëzuar më pas në polici.

Viktima dhe autori ndanin të njëjtin ‘fat’

Fillimisht u raportua se dy viktimat ishin xhaxha e nip, por sipas dëshmive të banorëve, ata janë vëllezër, por njëri prej tyre (dyshohet Lavdimiri) është rritur nga xhaxhai, pra vëllai i babait të tij biologjik. Ndërsa kanë qenë në qendër të fshatit, në një lokal në pronësi të Gramoz Kurtaj ka mbërritur për t’u sqaruar babai i njërit prej fëmijëve që ishin grindur, 50-vjeçari Altin Kuka. Edhe autori, sipas të njëjtit banor është rritur nga familja e motrës së mamasë së tij.

“Nuk e dimë si ka qenë momenti, kishin marrëdhënie shoqërore. Viktimat ishin vëllezër, por njëri nga këta ishte i adoptuar te xhaxhai, vëllezër ishin. Edhe autori është i adoptuar, baxhanaku e ka marrë të vogël e ka rritur këtu”, – thotë ai.

Ndërkohë edhe banorët e tjerë pohojnë se viktima dhe autori njiheshin me njëri-tjetrin dhe qëndronin bashkë, apo konsumonin kafe.

“E mora vesh në televizor, i kemi shokë. Viktimat ishin vëllezër, çuna të mirë. Edhe autori nga fshati është, aty matanë e ka shtëpinë. S’na kanë ndodhur ndonjëherë këto gjëra, edhe një pulë kur vritet të dhëmb, jo më dy vëllezër”, – tha banori.

“Ky veprim nuk e justifikon arsyen, para një jave kemi qenë bashkë. U erdhi vëllai këtyre dy viktimave nga Amerika, aty rrinin. Një fshat që është shpëlarë nga të gjitha traditat që ka pasur”, – tregon një tjetër.

Dinamika e vrasjes

Sipas dëshmive në vendngjarje, sherri ka arritur në sharje dhe përleshje fizike midis dy vëllezërve dhe autorit, që dyshohet se nuk ka qenë i vetëm. Ndërkohë, 50-vjeçari, i cili kishte dhe automjetin pranë, ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar drejt dy vëllezërve, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë në vend, ndërsa tjetri në spitalin rajonal të Fierit. Menjëherë pas ngjarjes, autori është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë Fier, ku ka dorëzuar dhe armën e krimit. Ndërkohë, në fshatin Kurjan pas ngjarjes kanë shkuar dhjetëra forca policie për të arrestuar edhe bashkëpunëtorët e mundshëm të autorit, si dhe për zbardhjen e shkaqeve dhe për të shmangur një konflikt të mundshëm midis dy fiseve. Për banorët e fshatit, kjo është një ngjarje ku shkaku nuk justifikon veprimin, ndaj dhe janë të tronditur, pasi ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur kurrë në këtë fshat./ZËRI 

Poll

MOS HUMB