DURRËS- Banorët e zonës së Durrësit të Ri, e njohur gjerësisht si Ish-Këneta, kanë dalë këtë mbrëmje në protestë për të kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në infrastrukturën e zonës. Protesta u zhvillua në rrugën 'Vëllazërimi'ku banorët bllokuan përkohësisht qarkullimin e automjeteve, duke kërkuar zgjidhje për problematikat që, sipas tyre, janë kthyer në shqetësim të vazhdueshëm për komunitetin.
Një prej çështjeve kryesore të ngritura gjatë protestës ishte rreziku i përmbytjeve. Banorët deklarojnë se mungesa e investimeve dhe e ndërhyrjeve të nevojshme në infrastrukturën e kullimit ka bërë që zona të përballet vazhdimisht me ujërat gjatë reshjeve të dendura.
Ata kërkojnë gjithashtu që të zgjidhet problemi i dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e mëparshme. Sipas protestuesve, një pjesë e banorëve ende nuk kanë marrë kompensimet që u takojnë. Përveç përmbytjeve, banorët kanë ngritur shqetësimin për mungesën e ndriçimit publik në disa prej rrugëve të zonës. Gjendja bëhet edhe më problematike në akset e pasfaltuara, të cilat gjatë reshjeve kthehen në terrene të vështira për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.
Protestuesit kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë përpara se reshjet e vjeshtës të shtohen, duke paralajmëruar se pa masa konkrete situata mund të përsëritet edhe gjatë muajve të ardhshëm.
Rruga 'Vëllazërimi' është një nga akset e rëndësishme të zonës, pasi shërben si lidhje mes qytetit të Durrësit, autostradës Durrës-Tiranë dhe unazës së qytetit.
Banorët bëjnë thirrje për investime konkrete dhe zgjidhje afatgjata, në mënyrë që përmbytjet dhe problemet me infrastrukturën të mos mbeten një shqetësim i përsëritur për komunitetin e Ish-Kënetës./ZËRI