
DURRËS- Hetimet mbi vrasjen e Pëllumb Metës, që tronditi mbarë opinionin publik vazhdojnë. Së fundmi është marrë në pyetje vajza e madhe e familjes së Pëllumb Metës, i cili u vra dhe gropos në kasollen e bagëtive nga tre fëmijët e tij.
Vajza e madhe, Bedra Meta është shprehur në komisariat se nuk ka ditur asgjë për vrasjen e babait nga vëllezërit dhe motra e saj dhe se kishte marrë vesh gjithçka nëpërmjet mediave.
Ajo është pyetur mbi marrëdhënien që kishte babai i saj me familjen. Vajza e madhe ka qëndruar në të njëjtën linjë me pjesëtarët e tjerë të familjes sa i takon konflikteve që ato kanë deklaruar se kishin pasur vazhdimisht me të ndjerin duke deklaruar se i ati ishte njeri autoritarist që gjithmonë kërkonte të bëhej siç thonte ai.
Në vijim të hetimeve për zbardhjen e vrasjes bëhet e ditur se pritet të vijnë rezultatet e ekspertizës balistike nga laboratori shkencor në Tiranë për armën e krimit. Ajo është një pistoletë mod-54 ose siç njihet ndryshe TT.
Pëllumb Meta u gjet i varrosur në kasollen e bagëtive pranë banesës së tij. Policia thotë se ai u vra nga Hysen Meta që bashkëpunoi me motrën Hygertën për ta kryer krimin. Më pas për të zhdukur trupin ka ndihmuar edhe vëllai tjetër, Amarildo. Të tre tashmë janë pas hekurave të qelisë në arrest me burg. Ndërkohë mamaja e tyre, Blerina po hetohet në gjendje të lirë./ZËRI