
DURRËS- Djali i madh i Bedrie Lokës, 41-vjeçares që ndërroi jetë pak ditë më parë në Sukth të Durrësit, ka treguar se nëna e tij ka qenë viktimë e dhunës të babait.
Ai ka thënë në polici, se pak ditë përpara se të ndodhte tragjedia, Xhemal Loka kishte shkuar në banesë dhe e kishte marrë bashkëshorten në makinë. Më pas ai ka ecur me shpejtësi, duke i thënë viktimës: “Do të vras”. “Pak ditë përpara se të ndodhte tragjedia, babi u kthye në shtëpi, e hodhi mamin në makinë dhe eci me shpejtësi tepër të madhe drejt Durrësit. Gjatë rrugës i tha se do ta vriste”, ka deklaruar vëllai i madh i familjes.
Bedrie Loka i dha fund jetës tre ditë më parë, pasi dyshohet se ka qenë e dhunuar nga i shoqi. Xhemal Loka u vu në prangat e policisë mëngjesin e sotëm, pasi 4 fëmijët e çiftit dëshmuan në polici dhunën e vazhdueshme që babai ushtronte ndaj nënës së tyre. E para që ka folur në polici ka qenë vajza e madhe e çiftit, e cila ishte martuar vetëm pak kohë më parë. Në datën 27 Dhjetor, rreth një javë para vdekjes së Bedrie Lokës, bashkëshorti i saj, i cili sapo ishte kthyer nga emigrimi, i kishte vendosur thikën në fyt 41-vjeçares. Në banesë u gjet dhe një armë zjarri e vjetër, si dhe u sekuestrua telefoni i bashkëshortit./ZËRI/