Aktualitet

Asnjë kamerë dhe asnjë dëshmitar, grupi hetimor ndryshon pistën: Ku e kreu vetëvrasjen Alma dhe 3 fëmijët?

Kukulla që dyshohet se i përket njërës prej vajzave ka ndryshuar dinamikën e deritanishme të tragjedisë së rëndë

E.K
Asnjë kamerë dhe asnjë dëshmitar, grupi hetimor ndryshon
Alma arrazi dhe femijet e saj

SHKODËR- Policia dhe Prokuroria e Shkodrës, kanë një skenar të ri për ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 2 Majit në Shkodër, ku Alma Arrazi dyshohet se është vëtëmbytur në lumin Buna së bashku me 3 fëmijët e saj të mitur. Gjatë ditës së sotme, grupi hetimor ka gjetur një kukull poshtë urës së Bunës, që dyshohet se i përket njërës prej vajzave të çiftit Arrazi. Kjo ka shtyrë grupin hetimor që të shkojë drejt një versioni të ri për aktin fatal, që Alma dhe tre fëmijët e saj nuk mund të jenë hedhur nga ura, por skena e rëndë të jetë zhvilluar poshtë urës. Por pavarësisht hipotezave të grupit hetimor, deri tani nuk është siguruar asnjë pamje filmike që të vërtetojë vendin e hedhjes së Arrazit.

Po ashtu të paktën deri më tani nuk ka asnjë dëshmitar që mund ta ketë parë Alma Arrazin duke u hedhur në ujë bashkë me fëmijët e saj si dhe nuk ka asnjë dëshmitar që të ketë dëgjuar zhurma apo të bërtitura fëmijësh.

Policia vendore e Shkodrës gjeti poshtë urës së re të Bunës kukullën e cila dyshohet se i përkiste njërës prej dy vajzave të mbytura. Në fund të urës së re Bunës, në këmbët poshtë kësaj ure, në një vend me zhavor dhe pemë e shkurre efektivët gjetën kukullën e cila është sekuestruar nga prokuroria dhe është çuar për t’i bërë AND-në nëse ka apo jo lidhje me njërin prej tre fëmijëve të mbytur të Alma Arrazit.

Kukulla e gjetur në breg poshtë urës, bëri që forcat RENEA nga fshati Darragjat ku u gjet vajza 9 vjeçe të përqëndrojnë kërkimet e tyre në këtë vijë ujore të lumit. Vetëm pak metra më tutje, tek pinarët u gjet trupi i pajetë i vajzës 8 vjeçare. Jo shumë larg nga pinarët, në një largësi prej afro 2-3 kilometër në afërsi të Oblikës në Anën e Malit u gjet edhe trupi i djalit 4 vjeçar dhe rreth 35 kilometër nga aty përballë fshatit Pentar në ujërat që i përkasin Malit të Zi u gjet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit.

Pista se Alma Arrazi mund të jetë hedhur nga ura e vjetër apo ura e re e Bunës për momentin për policinë dhe prokurorinë ka rënë poshtë kjo për shkak të kukullës të gjetur në breg të Bunës poshtë urës së re. Ajo që dyshohet është se Alma Arrazi pasi ka konsumuar kafen me kunatën e saj ka kaluar në këmbë në urën e vjetër të Bunës dhe ka vijuar po në këmbë në drejtim të urës së re të Bunës dhe është ulur po në këmbë në fund të kësaj ure në një terren që nuk është shumë i lehtë për t’u zbritur dhe prej aty pasi ka mbërritur në breg dyshohet se kreu edhe aktin e rëndë duke u mbytur bashkë me tre fëmijët e saj, ngjarje e cila mendohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00 të 2 prillit.

Tashmë pritet që ekspertiza të kthejë përgjigjen e AND-së nëse kukulla i përket njërit prej fëmijëve të Alma Arrazit. Prokuroria dhe policia vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje për të cilën është i ndaluar Erdgys Arrazi, bashkëshorti i 39 vjeçares për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” si rrjedhojë e dhunës në familje, akuza të cilat vetë ai dhe i vëllai i tij i kanë mohuar ndryshe nga motra e Almës e cila e ka akuzar për dhunë në familje dhe tradhti.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB